Ditën e sotme, 3 muaj pasi ish-çifti Bill dhe Melinda Gates njoftuan ndarjen, një gjykatës ka firmosur zyrtarisht divorcin e tyre. Në marrëveshjen përfundimtare, të firmosur në Gjykatën e Lartë të Washington-it dhe të siguruar nga E!News, theksohet se nuk është urdhëruar asnjë vendim gjyqësor për paratë dhe as Melinda e as Bill nuk kanë kërkuar që të ndryshojnë emrat. Gjithashtu nuk është urdhëruar që të ketë mbështetje bashkëshortore.
Tashmë Melinda dhe Bill Gates do të ndjekin përfundimisht rrugë të ndara. Ata janë prindër të dy vajzave, Jennifer Gates 24 vjeçe dhe Phoebe Gates 18 vjeçe. Po ashtu ish-çifti kanë një djalë, Rory Gates 21 vjeç.
Fillimisht ishte Bill Gates, ai që bëri publike ndarjen nga ish-bashkëshortja përmes një postimi në “Twitter”.
“Pas një mendimi të gjatë dhe shumë pune, ne kemi marrë vendimin për t’i dhënë fund martesës sonë. Gjatë 27 viteve të fundit, ne kemi rritur tre fëmijë të mrekullueshëm dhe kemi ndërtuar një fondacion që punon në të gjithë botën për t’i mundësuar të gjithë njerëzve të bëjnë jetë të shëndetshme dhe produktive.
Ne vazhdojmë të ndajmë një besim në misionin tonë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku në fondacion, por nuk besojmë më se mund të rritemi së bashku si çift në fazën e ardhshme të jetës sonë. Ne kërkojmë hapësirë dhe privatësi për familjen tonë”, shkroi Bill Gates në postim, një deklaratë që erdhi shumë e papritur për të gjithë.