Kompania e pagesave online PayPal të hënën njoftoi se klientët e saj në Britani të Madhe do të jenë në gjendje të blejnë, mbajnë dhe shesin kriptovaluta përmes faqes së internetit të kompanisë dhe aplikacionit celular. “Ky shërbim i ri fillon të dalë këtë javë”, sipas një deklarate nga kompania. PayPal shpreson se kjo do t’i inkurajojë njerëzit të hulumtojnë dhe të mësojnë në lidhje me mundësitë dhe rreziqet e kriptovalutave para se të bëjnë transaksione.

“Jemi të përkushtuar të vazhdojmë të punojmë ngushtë me rregullatorët në Britani dhe në të gjithë botën, që të ofrojmë mbështetjen tonë dhe të kontribuojmë në mënyrë të konsiderueshme në formimin e rolit që monedhat digjitale do të luajnë në të ardhmen e financave dhe tregtisë globale”, theksoi në një deklaratë Jose Fernandez da Ponte, nënkryetar dhe menaxher i përgjithshëm për blockchain, kripto dhe monedhat digjitale në PayPal.

Konsumatorët mund të zgjedhin midis katër llojeve të kriptovalutave, përkatësisht Bitcoin, Ethereum, Litecoin dhe Bitcoin Cash. Në mars, kompania njoftoi Checkout me Crypto, duke u mundësuar klientëve në SHBA që të përdorin kriptovalutën e tyre së bashku me metodat e tjera të pagesës në portofolin e tyre PayPal për të bërë blerje në biznese në të gjithë botën. Në prill, ata prezantuan shërbimet kripto në shërbimin e tyre të pagesave celulare Venmo në SHBA.