Dozat përforcuese të vaksinës Covid do t’i jepen më të rrezikuarve duke nisur nga shtatori në Francë. Zëdhënësi i qeverisë franceze njoftoi masat e reja pas një mbledhje me Presidentin Emmanuel Macron dhe ministra të tjerë të qeverisë. Ai tha gjithashtu se edhe testet e Covid nuk do të jenë më falas duke filluar që nga mesi i tetorit, një vendim ky i njëjtë me atë të Gjermanisë.
Attal shpjegoi se Franca do të fillojë dhënien e dozave të treta të vaksinave Covid për njerëzit më të rrezikuar nga mesi i shtatorit, ndërsa rezervimet për dozën përforcuese do të hapen në fund të gushtit. Në fakt ky vendim i qeverisë franceze ishte paraprirë nga presidenti Macron i cili disa ditë më parë në një video në instagram u shpjegonte ndjekësve se pse një dozë e tretë ishte e nevojshme për të luftuar virusin.
Por përpos Francës, edhe në Britani qeveria ka miratuar dhënien e dozës së tretë nga shtatori, por diskutimi po ‘çalon’ se tek cila pjesë e popullsisë do të aplikohet ajo. Ekspertët e mjekësisë atje janë ndarë midis të aplikuarit vetëm tek personat më vulnerabël , njësoj si Franca, apo aplikimi te e gjithë grupmosha mbi 50 vjec.
“Ne duhet të rishikojmë provat nëse njerëzit që e kanë bërë vaksinën më herët janë në ndonjë rrezik për të pasur sëmundje serioze dhe nëse mbrojtja që ata kanë nga ato dy doza të para është ende e fortë – pasi ne nuk duam tu japim vaksina njerëzve që nuk kanë nevojë për to. “, shpjegoi një profesor anglez.
Programi i vaksinimit me dozën përforcuese në Angli do të fillojë më 6 shtator, por paneli i ekspertëve që këshillon qeverinë – është ende duke vlerësuar të dhënat e shtrimeve në spitale dhe mostrat e testeve të gjakut para se të miratojë programin.