Rama është sot, e nesër nuk do të jetë, po ashtu Vuçiç, Zaev, Kurti etj. Nuk do të jemi ne, por ama do të kemi një Ballkan të hapur. Ç’tru e zemër mund të kesh, kur sot, disa prej nesh, njerëz të izoluar si kafshë në kafaz për 40 vjet nga diktatura më e çmendur që mbylli kufij e shtëpi, kundërshtojnë me argumente qesharake hapjen e Ballkanit. “Do të përfitojnë produktet serbe”, thonë disa, që nuk shohin, apo nuk duan të shohin se si, që këtë verë, qindra e qindra familje serbe erdhën dhe kaluan pushimet e tyre në Jugun shqiptar. Sa familje shqiptare shkuan të shpenzojnë për pushimet e tyre në Serbi? Nëse nesër ke në treg një pastë dhëmbësh serbe, krahas asaj italianes apo turkes, vendos ti se cilën dëshiron të blesh! Nga kjo hapje e propozuar e Ballkanit mund të trishtohen italianë, grekë e turq që prej vitesh mbushin tregun tonë, por jo ne shqiptarët. Ne do t’i ofrojmë tregut ballkanas atë që dimë ne të bëjmë më mirë: turizmin me natyrën e shumëllojëshme, bregdetin, bimët mjeksore, agriturizmin, gastronominë mesdhetare që nuk ka të krahasuar me atë ballkanase e shumë produkte që janë të padukshme për masën, por konkurruese që tani për rajonin dhe ambicioze edhe për Europën dhe më gjerë.
Hapja e Ballkanit është një nismë e vështirë për shkak të historisë së rëndë që mbajmë në kurriz dhe padrejtësive të mëdha me njëri-tjetrin. Kemi mllefe, urrejtje me fqinjët, por hidhni pak sytë dhe shihni ç’kemi bërë dhe bëjmë me njëri-tjetrin. Ishte shqiptar Enver Hoxha e na mbajti të izoluar egërsisht, është shqiptar Sali Berisha, por një nga aferat më të errëta të karrierës dhe familjes së tij është ajo e thyerjes së embargos së karburantit duke furnizuar Serbinë gjatë luftës me Kosovën dhe e korrupsionit me energjinë elektrike po me një firmë serbe gjatë qeverisjes 2005-2013. Janë kufijtë e hapur, është Ballkani i hapur problem ynë apo hileqarët që kërkojnë të shkatërrojnë, bllokojnë, përflasin, shpifin, vetëm për përfitime personale?
E megjithatë një ide konstruktive dhe e mirë është vështirë të vdesë e të zhduket. Koha do ta tregojë se pavarësisht egërsisë së disa kundërshtarëve, idetë progresiste marrin rrugë dhe jetë.