Konstandin Grillo është në gjendje të rëndë shëndetësore. Burime të besueshme pranë komentatorit të njohur sportiv bëjnë me dije që ai është prekur nga COVID-19. Prej ditësh po kurohej në Tiranë, ndërsa sot është vlerësuar nga mjekët që duhet të shkojë drejt Turqisë për trajtim më të specializuar. Të njëjtat burime tregojnë se gazetari nuk ishte prekur më parë nga infeksioni që ka paralizuar gjithë botën dhe ishte kundër bërjes së vaksinës informon newsbomb.al.
Mësohet se atij i është prekur rreth 60 përqind e mushkërisë. Tanimë po udhëton drejt Rinasit teksa në orën 17:00 është planifikuar nisja e tij me avion të posaçëm drejt Stambollit. Sinan Idrizi është ai që ka marrë përsipër shpenzimet për shërimin e gazetarit të njohur. Deri më tani është paguar avioni çarter ambulancë prej 18600 eurosh. Sonte pritet të mbërrijë në spitalin “Memorial” në Stamboll ku do të marrë dhe trajtim më të specializuar. Para dy javësh ai ishte në delegacionin e Vllaznisë për ndeshjen kundër AEK Limasolit që u luajt në Qipro.