“Delta” po rrit numrin e të infektuarve dhe të shtruarve në spital dhe tek fëmijët. Megjithatë shefja e shërbimit infektiv pediatrik në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” Gjeorgjina Kuli tregon se varianti indian i Covid 19 po shfaqet më pak agresiv se ai klasik dhe britanik.
“Momentalisht kemi 7 të shtruar, që janë në gjendje të mesme, kemi numër më të madh të rasteve të infektuar dhe në spital, por me shenja më të lehta, që kërkojnë një kohë qëndrimi më të pakët në spital. Prekja e mushkërive është e lehtë, nuk kanë shenja, jo forma të rënda si me variantet e para” tha ajo.
Të infektuarit e vegjël po paraqesin shenja të ngjashme me ato të virozës së verës. “Mund të japë temperaturë, diarre dhe të vjella” tha ajo. Sa i përket vaksinimit të fëmijëve anëtarja e Komitetit të Imunizimit tregon se vijon të jetë në shqyrtim. “Asnjë vend nuk e ka vendosur në protokoll. Në bazë të situatës, të rreziqeve që mund të krijohen, ne jemi të përgatitur edhe për skenarin e vaksinimit të moshave poshtë 16-vjeç”.
Në këtë situatë mjekja Kuli mendon se fëmijët duhet të kthehen në shkolla duke respektuar masat për frenimin e infeksionit. “Me këto shifra dhe me përhapjen e vaksinimit te mësuesit mendoj që nuk ka rrezik të përhapjes në kushtet e shkollës nëse zbatohen rregullat” tha ajo.
Viti i ri shkollor do të nisë dy javë më vonë nga sa ishte planifikuar. Nxënësit do të jenë të detyruar të ulën në banka më 27 shtator, por nëse dëshirojnë nga 1 shtatori mund të ndjekin mësimin plotësues.