Largimi i mjekes Najada Çomo nga lista e deputetëve socialistë për qarkun e Tiranës rikthen në parlament politikanen Mimi Kodheli. Në zgjedhjet e fundit parlamentare Najada Çomo ishte e dyta në listën e kandidatëve socialiste, ndërsa vetë si deputete mori 1.583 vota. Edhe pse ishte mes kandidatëve më pak të votuar ajo sërish e mori mandatin e deputetes për shkak të rregullave në kodin zgjedhor dhe mekanizimit të herësit.
Por kryeministri Rama lajmëroi se mjekja Najada Çomo ka dhënë dorëheqjen në mënyrë që të rikthehet sërish në spitalin covid 1, ndërsa numri i të shtruarve në spital është duke u rritur. Sipas kodit zgjedhor, një deputete mund të zëvendësohet vetëm nga një kolege nëse jep dorëheqjen. Dhe sipas listës kandidatja më e votuar është Mimi Kodheli, e cila ka marrë 5,597 vota. Në zgjedhjet e fundit Kodheli dhe Majko ishin ndër emrat e njohur nga PS që nuk arritën ta kalojnë listën duke thyer herësin.