Nga Platon Nesturi/
Në Korçë nuk ka më PD, por Basha hesht. Hesht siç ka heshtur shumicën e kohës gjatë këtyre muajve të nxehtë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Hesht megjithëse ka një sërë çështjesh sensitive përballë partisë më të madhe të opozitës e që vë në rrezik vetë ekzistencën e saj të afërme. Heshtje si për kritikat që vijnë në drejtim të tij për mënyrën si ka drejtuar PD, si e ka udhëhequr në zgjedhje dhe si i hipi sërish kalit të kryetarit pas humbjes. Heshtje për akuzat për Berishën dhe deri në fshehje për të qartësuar pozicionin e PD ndaj tij lidhur me faktin nëse ish lideri do të jetë pjesë e grupit parlamentar në muajin shtator. Dhe nuset e reja nuk rrinë kaq të heshtura, jo më të kenë tetë vite martuar, aq sa ka dhe Basha në krye të PD.
Ajo çfarë ndodhi dje në Korrcë ishte një tjetër ultimatum. Jo nga ato deklarata ambasadorësh, për të cilat ithtarët e ish liderit dhe Berisha vetë, thonë se janë ndërhyrje në punët e brendshme dhe shkelje normash. Ultimatumi vjen nga brenda, nga ata njerëz të thjeshtë që përbëjnë shtyllën kurrizore të partisë dhe që largohen në masë me indinjim dhe buzëplasur. Paralajmërimi i parë kish ndodhur disa kohë më parë po nga Korça, kur kreu i degës dhe 15 anëtarë të kryesisë së PD Korçë dhanë dorëheqjen në mënyrë demonstrative.
Dhe në atë kohë Basha heshti dhe nuk pati asnjë prononcim, qoftë nga selia e PD, qoftë nga pushimet e largëta nëpërmjet Twitter-it. Tashmë krisma e asaj se ç’po ndodh në PD është shumë më e fortë. 51 kryetarë seksionesh të PD në Korçë që largohen prej saj, e bëjnë një formacion inekzistent në një nga qytetet kryesore të vendit. Alarmi ka rënë në Korçë, por duket se nuk ka veshë në Tiranë të dëgjojnë. Ose janë aq të pafuqishëm e të pandjeshëm në përgjegjësitë e tyre sa ti lenë gjërat në vetërrjedhje.
Pasi ndoshta më rëndësi ka mosmbetja e qejfit të Berishës sesa fati i një force politike. Me këto prognoza, ku askujt nuk ki dhëmb se ku po vete PD dhe ku askush nga lidershipi aktual nuk gjen kurajo të ngre pyetjen – ku po vemi kur degët shkrihen dhe njerëzit po i largohen PD-së?- është vështirë të mendosh se deri ku do të vejë bisturia për të ndalur të keqen në PD. Basha po hyn me shumë kunguj nën sqetull drejt shtatorit, dhe Berisha më duket se është më i vogli. Gjithsesi qëndrimi ndaj Berishës do të kushtëzojë një sërë veprimesh që mund të jenë rrugë pa kthim. Braktisje masive si parti dhe copëtim të grupit të deputetëve. Dhe në këtë linjë skenarët shkojnë zi dhe më zi.