Pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ajo që ka ndodhur në Partinë Demokratike, mund të quhet një “epidemi tërheqjesh”. Basha kishte deklaruar se “në 25 prill do të përmbysej regjimi”. Por, në fakt nuk ndodhi as përmbysja, as fitorja e Lulit, por thjesht dhe vetëm humbje të cilët Basha nuk e njeh kurrë, por tani e ka “pagëzuar” me emrin masakër elektorale. Gjithsesi një gjë është e qartë, tashmë ka filluar dimri i vetmisë së madhe për Lulzim Bashën, por edhe për dështakët e tij.
Si fillim kujtojmë këtu Kuvendin Kombëtar të PD, të mbajtur në 17 korrik, ku qëllimi ishte të kapë edhe më fort Partinë Demokratike, për të ndryshuar sekretariatin, për të konsoliduar kryesinë e saj ku shumicën e emrave do i ketë zgjedhur dhe emëruar ai.
Për të bërë disa përmbysje në Këshillin Kombëtar, për të larguar emra të cilët mund të sillnin shqetësime e kështu me radhë. Por, farsa e Bashës me zgjedhjet e 13 qershorit dhe mbledhjen e Kuvendin Kombëtar, mos marrja e përgjegjësisë apo edhe tentativat për të justifikuar humbjen, duke përdorur të ashtuquajturën “masakër zgjedhore”, kanë sjellë edhe të tjera epidemi tërheqjesh në Partinë Demokratike.
Dorëheqjet kanë nisur në Korçë, që muajin e kaluar. Në fund të muajit Korrik ishte kreu i PD në Korçë, Andrea Mano, i cili dha dorëheqjen bashkë me sekretarin Devis Osmani dhe 14 anëtarë të PD në Korçë. Në të njëjtën ditë Lulzim Basha doli në konferencë për mediat, duke mos pranuar t’ju përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për këtë dorëheqje në bllok. Duke tentuar të justifikojë dorëheqjet masive, Basha tha se nuk duhej të shpërqëndrohej vëmendja, pasi kishin një problem më të madh se sa dorëheqjet. Por, dorëheqjet vijuan më tej, ndërsa në datën 9 gusht u larguan 51 drejtues seksionesh dhe Lidhjes Demokratike të Gruas në Korçë.
“Gjykojmë se lideri aktual i saj po tenton me arrogancën e tij ta kthejë Partinë Demokratike, në një parti klienteliste në funksion të interesave të tij personale. Me veprimet e tij mendojmë se Z. Basha ka hedhur poshtë gjithë mundin dhe sakrificat tona në Opozitën më të vështirë në historinë e Partisë Demokratike”.-u shprehen ata në një deklaratë për mediat. Duke treguar qartë se demokratët, nuk e mbështesin më në “çmenduritë” e tij politike.
Por, demokratët kanë braktisur edhe dështakët e Lulzim Bashës, gjë e cila u tregua sot në Korçë, me të dërguarin e tij Ervin Salianjin. Ky i fundit, ka zhvilluar sot një takim në Korçë ku ka tentuar të hedhë baltë mbi demokratët, ndërsa tentoi të justifikojë largimet masive. Por, Salianji ka dështuar në Korçë, pasi sikurse shikohet edhe në fotot e siguruara nga CNA.al, demokratët e Korçës e kanë braktisur. Salianji dështoi, duke u katandisur me 50 veta në rrugë. Në një qytet, ku dikur Partia Demokratike mbushte sheshet, i dërguari i Bashës, përfundon në një rrugice me 50 veta. Të gjitha detajet flasin qartë, se për Lulzim Bashën dhe dështakët e tij, ka filluar dimri i vetmisë së madhe. Qytetarët tashmë e kanë parë, dhe e dinë mjaft mirë kush është Lulzim Basha dhe “servilët” që e ndjekin nga pas./CNA