Zyrat e aplikimit për dokumente biometrike janë të hapura edhe ditët e shtuna, për të përballuar fluksin e aplikimeve që është shtuar me kthimin në atdhe të shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj dhe përfaqësuesi i Kompanisë Koncesionare Olivier Laurence inspektuan sot në mëngjes zyrën e aplikimit në Njësinë nr 5 në Tiranë.

Doracaj deklaroi se të hapura do jenë jo vetëm zyrat e aplikimit, por edhe zyrat e shpërndarjes së dokumenteve biometrike pranë Policisë së Shtetit në çdo qark. “Duke filluar nga kjo e shtunë deri në fundin e muajit kusht zyrat e aplikimit për për dokumente biometrike do vijojnë të ju shërbejnë nga ora 8.00 deri sapo të mbarojë edhe qytetari i fundit në radhë për të ju përgjigjur fluksit sa vjen dhe rritet për pasaportat dhe karta identiteti. Sot nuk funksionon thjeshtë zyra e aplikimit për dokumente biometrike po janë të hapura në të gjitha drejtoritë e qarqeve edhe zyrat e shpërndarjes”, tha Doracaj.

Ai apeloi që qytetarët të aplikojnë në portalin e-Albania që të rezervojnë një orar për aplikim të dokumenteve biometrike në mënyrë që të shmangen edhe radhët.