Gianluigi Donnarumma mezi pret të zbresë në fushë me fanellën e Paris Saint Germain. Kampioni Evropës me Italinë, njëkohësisht futbollisti më i mirë i “Euro 2020”, duhet të fitojë konkurrencën me Keylor Navas për të qenë ai numri 1 i portës parisienë. Në një intervistë të dhënë për mediet italiane, 22-vjeçari preku tema të ndryshme, për largimin nga Milan, aventurën në Euro 2020 ku triumfoi me Italinë dhe objektivin e madh të PSG-së, Champions Leaguen.
Largimi nga Milan: “Kam kaluar tetë vite në Milano, ishte shtëpia ime. Kam jetuar momente të mrekullueshme atje. Milani më emocionon edhe sot, kam respekt të madh për njerëzit që punojnë atje. Në jetë duhet të vësh zgjedhje, ne kishim ambicie të ndryshme. Tetë vite nuk harrohen, por më duhej të ndryshoja që të rritesha, të përmirësohesha dhe të bëhesha më i forti. Ndjeva nevojën për hapësira të reja, realitete të reja”, u shpreh ai.
Euro 2020: “Ishin 50 ditë fantastike, nga fillimi i grumbullimit deri në finalen e Wembley-t. Natyrisht, më mungojnë ato momente. Herë pas here hyj në Youtube, rijetoj disa faza të udhëtimit tonë dhe emocionohem. Me shokët e ekipit kombëtar flasim shpesh ose i shkruajmë njëri-tjetrit, kemi një grup blu të përbashkët. Kjo fitore është rezultat i punës së Mancios, një trajner i jashtëzakonshëm dhe i një grupi që kënaqej së bashku. Ne kishim unitet dhe çdo ndeshje e jetuam si të ishte e fundit. Dhe pastaj Ciro, Lorenzo, unë, ne jugorët jemi të çmendur dhe dimë të bëjmë grup”.
Objektivi PSG-së: “Kur nënshkrova, presidenti më tha: jemi më në fund së bashku. Tani jam mirë, jam shumë i qetë. Sezonin e kaluar ekipi nuk e fitoi Ligue 1, por qëllimi i vërtetë është një tjetër, Liga e Kampionëve. PSG më ka kërkuar gjithmonë, por në ato momente përparësia ishte Milani”.