Ka nisur një epokë e re për Lionel Messin Pas 17 sezoneve duke veshur fanellën e Barcelonës, mbi 20 vite duke llogaritur edhe kohën te akademia La Masia – Leo Messi ka nisur një aventurë të re. Ai të mërkurën është prezantuar te klubi i ri, Paris Saint Germainin Ylli argjentinas firmosi kontratë 2-vjeçare në kryeqytetin francez, me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon, nga e cila do të përfitojë mbi 100 milionë euro.

Në një intervistë për CNN, 34-vjeçari theksoi se ambiciet e tij përkojnë me ato të klubit. Trofeu i Champions është objektivi primar, me parisienët që e synojnë për herë të parë në histori, ndërsa Messi e ka fituar katër herë. “Jam i vetëdijshëm për ato çfarë kam arritur dhe për objektivin që ka klubi. Paris Saint Germain lufton prej kohësh që të fitojë Championsin dhe në vitet e fundit ka qenë pranë kupës”, u shpreh Messi.

“Në nivelin personal do të dëshiroja shumë ta fitoja përsëri këtë trofe. Besoj se erdha në skuadrën ideale për ta realizuar. Kemi të njëjtat synime”. “Prezantimi? Me të vërtetë, mbresëlënës. Ishte shumë emocionuese për mua, por edhe për të gjithë familjen time që kanë qenë në gjendje të përjetojnë këtë. Ishte përvoja ime e parë jashtë Barcelonës pas kaq vitesh atje”. “Si e kanë pritur këtë ndryshim fëmijët? Thiago e kupton më shumë këtë ndryshim, dhe, me siguri, është ai që do ta ketë më të vështirë të asimilojë gjithçka që po ndodh. Dy të tjerët janë të vegjël, ata ndjekin vëllain e madh dhe gruan time, dhe mua. Por, përtej dhimbjes së thellë që ai ka brenda, tashmë ka filluar të shijojë”.

“Biseda me Pochettino? Kur filluan negociatat me PSG-në, Mauricio më thirri. E pyeta se cila ishte ideja e tij dhe ai më tha se ishte i kënaqur dhe se më priste në Paris”.

Përveç Messit, PSG i ka transferuar këtë verë Sergio Ramosin, Donnarumman, Achraf Hakimin dhe Wijnaldumin.