Shtimi i rasteve të infektimeve në Francë ka detyruar shoqatat e mjekëve të propozojnë vaksinimin e detyrueshëm të të gjithë popullsisë. Mediat franceze citojnë drejtuesit e Federatës Spitalore Franceze, një prej grupeve më të mëdha të mjekëve në vend, të cilët thonë se vetëm përmes imunizimit të gjithë popullatës mund të arrihet në frenimin e ritmeve të përhapjes së mutacionit Delta dhe koronavirusit në përgjithësi, e për të zbehur efektet e këtij virusi tek të prekurit.

Propozimi erdhi pasi në Francë, këtë javë infektimet ditore arritën nivelet e valës së periudhës së përhapjes Mars – Prill me mbi 20 mijë raste. Në Shtetet e Bashkuara dhe gjithë Europën, vaksinimi shihet si mënyra e vetme për të frenuar rritjen e shifrave të viktimave. Kjo vërtetohet edhe nga fakti se përhapja e mutacionit indian nuk ka shkaktuar shtim të viktimave në vendet me proces të përparuar vaksinimi.

E kundërta ndodh në Rusi, ku me valën e përhapjes së variantit indian, viktimat ditore janë në nivelet më të larta për gjithë periudhën e pandemisë, e ku vaksinimi vijon me ritme shumë të ulëta.