Ka një mundësi “zero për qind” që koronavirusi i ri që shkaktoi pandeminë e COVID-19, të ketë dalë nga një laborator i Institutit të Virologjisë të Wuhan-it. Eksperti francez i biosigurisë Gabriel Gras e hodhi poshtë teorinë e daljes së virusit prej laboratorit gjatë një interviste me “Xinhua”. Gras ka punuar gjatë viteve 2012 – 2017 si ekspert teknik në ambasadën franceze në Kinë për zbatimin e bashkëpunimit franko-kinez mbi shfaqjen e sëmundjeve infektive, periudhë gjatë së cilës ai e vizitonte laboratorin një ose dy herë në muaj.
Laboratori i nivelit të biosigurisë 4 (BSL-4) u ndërtua në bashkëpunim të ngushtë midis Francës dhe Kinës, bëri të ditur Gras. Si mbikëqyrës i ndërtimit dhe akreditimit të laboratorit, Gras tha se nuk kishte “asnjë dyshim” për sigurinë e këtij laboratori. “Teoria që virusi ka dalë nga laboratori BSL-4 i Wuhan-it nuk është e besueshme,” theksoi studiuesi francez. Ai vuri në dukje se laboratori u ndërtua dhe funksionon me një standard shumë të rreptë. Gras, specialist i biosigurisë dhe virolog, tha se ishte përfshirë plotësisht në verifikimin e laboratorit në punën e tij të përditshme.
Ai shpjegoi se funksionimi i një laboratori BSL-4 është shumë i shtrenjtë, si në aspektin financiar, ashtu edhe të kohës. Koronaviruset, përfshirë koronavirusin e ri, u përkasin patogjenëve BSL-3 ose BSL-2, e jo BSL-4, dhe është e arsyeshme që njerëzit nuk do të përdorin një objekt BSL-4 për të studiuar patogjenët BSL-3 ose një objekt BSL-3 për patogjenët BSL-2. Meqenëse nuk ka asnjë arsye për të kultivuar koronavirusin e ri në laboratorin BSL-4, nuk ka mundësi të daljes prej laboratorit, shtoi ai. Gras tha se konsensusi i tanishëm shkencor është se koronavirusi i ri e ka origjinën nga natyra e jo laboratori.