Qyteti Studenti do të hapë sot dyert fillimisht për 350 qytetarë afganë, të cilët do të akomodohen në konviktet e studentëve. Në një intervistë televizive, Anisa Ruseti, nënkryetare e Bashkisë së Tiranës dha detaje lidhur me strehimin e afganëve në konviktet e Qytet Studenti. “Aktualisht sipas njoftimit që kemi do jenë 350 qytetarë afganë të cilët do strehohen vetëm në dy godina ‘Qytet Studenti’. Kemi 7 godina ndërkohë të cilat jemi duke i rregulluar dhe kanë një kapacitet prej 1200 shtretërish”, tha ajo.
Ruseti tha se “dhomat janë të ndara sipas familjeve”. “Ata duhet të bëjnë një test paraprak të shpejtë antikovid për t’u siguruar që vetë ata janë mirë, por edhe nuk bëhen problem për pjesën tjetër të komunitetit. Ndërkohë do jenë të akomoduar ose sipas familjes ose sipas dëshirës që ato do të kenë në bazë të marrëdhënieve”, tha ajo. Ruseti tha se “kjo është një punë në grup e Bashkisë Tiranë me Ministrinë e Jashtme që koordinon këtë operacion, por edhe Ministrinë e Shëndetësisë që tashmë ka sjellë stafin e vetë shëndetësor, që do kujdeset për testet antikovid, por edhe për parametrat e tjerë shëndetësorë që do akomodohen këtu”.
Sakaq, ajo shtoi se Ministria e Brendshme po bën maksimumin për sigurinë e tyre dhe mbarëvajtjen e të gjithë procesit për sa kohë do qëndrojnë në “Qytet Studenti”.
Ruseti theksoi se kjo është vetëm një pikë hyrëse, pasi do qëndrojnë 2-3 javë. “Më pas strukturat akomoduese me të cilat po merret qeveria do t’i zhvendosin në qytet bregdetare. Qytetarët afganë do qëndrojnë deri në ditët e para të shtatorit dhe më pas do akomodohen në vende të tjera”, shtoi ajo. Sipas Rusetit, “në momentin kur të fillojë viti akademik ‘Qytet Studenti’ do jetë i dedikuar për studentët”.