Procesi i Fiskalizimit, një reformë që administrata tatimore e ka nisur prej 1 janarit të këtij viti pritet të ketë një efekt pozitiv në të gjithë ekonominë e vendit dhe veçanërisht tek bizneset, pasi shkëmbimi i automatizuar i faturës elektronike shkurton kohë dhe është më i sigurtë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj vizitoi sot një nga subjektet që ka nisur të zbatojë këtë proces teksa deklaroi se administrata tatimore do të mbështesë biznesin në zbatimin e plotë të këtij procesi. “Amara Hotel & Spa në qytetin e Durrësit ka pak kohë që ka nisur të zbatojë procesin e fiskalizimit. Ky subjekt përdor zgjidhje softuerike, kryesisht për faturimet biznes me biznes, por edhe me konsumatorë. Mbetemi të angazhuar për të mbështetur biznesin në zbatimin e plotë të këtij procesi”, tha ministrja Denaj.
Që nga nisja e procesit e deri në fund të muajit korrik rezulton se janë fiskalizuar 13,633 biznese dhe janë lëshuar mbi 9 milionë fatura të fiskalizuara.
Reforma e Fiskalizimit po zbatohet në tri faza. Faza e parë nisi më 1 janar për të gjitha transaksionet biznes-qeveri (B2G). Më 1 korrik 2021 nisi faza e dytë që përfshiu transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, ndryshe B2B. Ndërsa më datë 1 shtator 2021 do të nisë faza e tretë, për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, ose siç njihet ndryshe B2C.