Lideret e shtatë vendeve më industrializuara të botës mblidhen edhe një herë në formatin virtual mes ringjalljes së pandemisë, me një shqetësim të madh në mendje, që është kthyer në çështjen më të ngutshme të momentit.
Kriza e refugjatëve në Afganistan, rënia e qeverisë dhe frika nga një ringjallje e terrorizmit me bazë në Afganistan, i kanë vënë aleatët e G-7 përballë të problemeve që kërcënojnë unitetin e bllokut, thotë VOA. Kryeministri britanik Boris Johnson, mikpritës i takimit të qershorit në qytetin turistik anglez Cornwall, tani po i mbledh përsëri udhëheqësit për bisedime mbi krizën në Afganistan mes pakënaqësisë me mënyrën se si presidenti Biden trajtoi tërheqjen nga Afganistani.
Ankesa janë shprehur nga Britania, Franca, Gjermania dhe vendet tjera në G-7, që përfshin vetëm një vend jo anëtar të NATO-s, Japoninë. Johnson dhe të tjerët, përfshirë presidentin francez, Emmanuel Macron, po e nxisin presidentin Biden të zgjasë përtej 31 gushtit afatin për tërheqjen e plotë të forcave amerikane, në mënyrë që të sigurohet evakuimi i të gjithë shtetasve të huaj, si dhe afganëve që punuan ose mbështetën ndryshe operacionet e NATO-s të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, që mposhtën talebanët në vitin 2001.
Oficerë të lartë ushtarakë britanikë kanë shprehur zemërim me tërheqjen amerikane, duke thënë se kjo shpërfaq zbrazëtinë e “marrëdhënies së posaçme” transatlantike, një frazë e përdorur që nga Lufta e Dytë Botërore për të theksuar lidhjet historike, të miqësisë dhe interesave të përbashkëta diplomatike midis Londrës dhe Uashingtonit.