Nga Nikoll Lesi/
Isha para 25 prillit pjesë integrale e opozitës, edhe si media kundërshtare e regjimit të Edi Ramës. E bëra këtë vendosje në vijëfronti antiRama nisur nga mendimi se duhej ndaluar uzurpimi i pushteteve të tjera nga pushteti politik ekzekutiv; nisur nga ide e kahershme dhe e përhershme se pushteti duhet të jetë i drejtë, ligjor dhe të mendojë për njerëzit e jo për një klasë personash, të cilët kanë futur gjithçka në dorë: vendimmarrjen politike, median, biznesin, pra jetën tonë si qytetar.
Por opozita gaboi në strategji e taktikë për ta mundur Edi Ramën. Ikën nga parlamenti krejt çuditshëm, në mos të themi idiotçe. Nuk u futën në zgjedhje vendore në mënyrë habitore. Dolën në protesta para kryeministrisë e përreth restorantit ku darkonte kryeministri dhe nuk mundën ta detyronin atë e komunitetin ndërkombëtar që Edi Rama të shkonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
U zhvillua një miting me 2 mars 2020 prej presidentit Meta me dhjetra mijëra qytetarë antiregjim, por ai miting mori në qafë presidentin e jo qeverinë. Mitingu ishte forme zemërimi antiRama, por nuk ishte krejt proMeta, ndonëse ky i fundit e mori si mbështetje personale nga populli.
Për Ilir Metën, mitingu i 2 marsit, ishte fillimi i mos pasjes kontakt më me popullin, por në letra sondazhesh që vinin kushedi nga ku, por që nuk tregonin realitetin. Më vonë opozita pranoi ndryshim Kushtetute dhe heshti duke menduar se do ta mundte Edi Ramën.
U fut në dy koalicione, një lojë djallëzore e Edi Ramës. Nuk po themi edhe e Lulzim Bashës, sepse mbetet akuzë e rëndë. Por u futën në vija fronti të ndarë, por për dreq edhe të përçarë. Në bazë PD-ja thoshte hapur që mos jepni votat LSI-së, por ne si PD. LSI-ja vazhdonte të ishte në qiellin e shtatë prej mitingut te 2 marsit!
Ata, si LSI, ishin fare në tokë edhe për fajin e pushtetit të Edi Ramës që me shumë masakroi LSI se sa Lulzim Bashën. Në javën e fundit ndodhen ngjarje katastrofike për opozitën, jo për fajin e saj. Fati nuk ishte me ta. Ngjarja e vrasjes në Elbasan nuk u hetua para zgjedhjeve siç duhej dhe krejt propaganda rilindase u derdh mbi Ilir Metën.
Se ç’punë kishte Ilir Meta me vrasjen, mbetet sikur të themi se ish-presidenti amerikan John Fitzgerald Kennedy, presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, u vra më 22 nëntor 1963, në 12:30 në Dallas, Teksas, prej LSI-së!
Vrasja krijoi panik të pjesa gri e popullsisë, por edhe te vetë socialistët e pakënaqur me Edi Ramën. Edhe ato mijëra vota që ishin nisur te opozita shkuan te PS-ja ose nuk dolën fare në votime. Lulzim Basha nuk shkoi në mitingun përmbyllës të LSI te sheshi Nënë Tereza, duke thënë indirekt në publik se nuk na duhet LSI. Presidenti Meta e shkatërron krejt punën e tij antiregjim me një intervistë dy ditë para zgjedhjeve duke sulmuar ambasadoren amerikane Yuri Kim.
Propoganda e Ramës e shfrytëzoi mjeshtërisht këtë intervistë pasi e përktheu siç deshën, se gjoja amerikanët nuk duan Ilir Metën dhe Lulzim Bashën.
Pra duhet prapë Edi Rama! Presidenti Meta, i cili kishte zhvilluar gjithë atë luftë antiRama, antiMafia dhe antiOligarki e që kishte mbetur i vetëm si “opozitë reale”; e prishi me sulmin kundër Yuri Kim.
Dhe as nuk u kujtua si politikan me eksperiencë që të gjente një formë ku të bënte autokritikë për ato çka tha, por insistoi më keq. Të dielën në darkë në mënyrë esktradjallëzore, kur pasi opozita ishte akoma në delir se kishte fituar (ndonëse votat u blenë deri në 500 euro në Laprakë nga mazhoranca) doli Baton Haxhiu te Top Channel dhe me një sondazh lajmëroi se Tirana është humbur nga PS, pra opozita ishte sipas sondazhit diku te 3 deputetë plus. Se edhe në Durrës, Berat, Korçë, etj opozita duket në avantazh.
Kjo ishte lojë përfekte e Edi Ramës.
Kryeministri kishte frikë se mos opozita dilte nga komisionet e votimit dhe numërimit me argumentin e saktë se “votat po blihen”.
Baton Haxhiu vazhdonte live me sondazhin e tij, se PS-ja po humbet… PD dhe LSI po bënin planet për ndarjen e pushtetit, ndërkohë që Batoni fliste!
Presidenti ishte në humor me 25 prill, ndryshe nga tre ditë më parë kur sulmoi egër ambasadoren amerikane. Edi Rama me laptopin e tij në Surrel numëronte kutitë. Ai e dinte, siç kishte thënë, se sa deputetë do merrte. Fiks 74 deputetë.
Dhe kaq mori! Opozita humbi. U përça, u nda! Tani Rama mbreteron edhe 4 vite. Kryeministri duhet të ketë frikë vetëm nga Edi Rama! PD dhe LSI nuk ndezin më fitil zemërimi në popull kundër Ramës.
A duhet opozitë e re që të rrëzojë kryeministrin?
Duhet! Opozitë që të rrëzojë krejt systemin e këtyre 30 vitëve nuk gjendet. Por së paku të dalë një opozitë e re që ta çajë sistemin, që ta detyrojë të ndryshojë trajektore. A duhet rrëzuar Edi Rama? Po! Si? Me këta që kemi nëpër këmbë si opozitë, duket e vështirë, në mos e pamundur!