Së bashku me Galaxy Z Fold 3 dhe Z Flip 3, Samsung prezantoi në evenimentin Galaxy Unpacked në dy orë të reja inteligjente: Galaxy Watch 4 dhe Galaxy Watch 4 Classic.
Dy orët përfaqësojnë një kthesë drastike për Samsung. Ato janë orët e para me sistemin operativ WearOS të Google në vend të Tizen. Por mbi të gjitha linja është ndryshuar. Në vend që ti ndajë orët mes modele standarde dhe Active, tashmë kemi dy: Watch 4 që është modeli bazë dhe Watch 4 Classic versioni premium. Watch 4 është pasardhësi i Watch Active 2 nga 2019 ndërsa Watch 4 Classic pason modelin e vitit të kaluar Watch 3. Watch 4 Classic fillon nga 349 dollarë për modelin Bluetooth dhe 399 dollarë për modelin LTE.


Ndërsa Watch 4 është më pak i kushtueshëm prej 249 dollarë me Bluetooth dhe 299 dollarë me LTE. Të dy orët mund të porositen sot dhe dalin në shitje më 27 Gusht.
Diferenca më e madhe mes të dyjave është se Watch 4 Classic ka një kornizë që rrotullohet. Gjithashtu ka në përbërje materiale më premium siç është çeliku në vend të aluminit në Watch 4. Mungesa e një kornize në Watch 4 do të thotë se ky i fundi është më kompakt se Classic. Vjen në dy versione 40mm dhe 42mm ndërsa Classic në 42 dhe 44mm.


Të dy variantet kanë ekrane ose 1.2-inç 396×396 ose 1.4-inç 450×450. Në brendësi vinë me procesorin e ri 5-nanometër Exynos W920 me 1.5GB RAM dhe 16GB memorie të brendshme. Samsung thotë se orët mbijetojnë deri në 40 orë me një karikim të vetëm.
Normalisht ndryshimi më i madh është zëvendësimi i Tizen me WearOS. Samsung dhe Google në Maj lajmëruan se sistemet operative do të shkrihen dhe orët e Samsung kanë sistemin operativ WearOS Powered by Samsung edhe pse Google e quan thjeshtë WearOS 3.
Në rastin e Samsung, orët kanë dizajnin e kompanisë mbi WearOS që quhet OneUI Watch. Orët mbeten rekomandimi numër një nëse keni një smartfon Android.