Nga Ardian Vehbiu/
Por – ja një por e madhe – një artist nuk mban përgjegjësi morale për përdorimin që ia bëjnë këngës së tij – dhe teksti i Kalasnjikov-it të Bregoviçit e tregon haptazi se bëhet fjalë për një këngë romësh, për romët, që duan të lajnë hesapet mes tyre, me kallashnikov. Pyetje: po pse u pëlqeu kaq shumë serbëve nacionalistë dhe bandave të tyre para-ushtarake që terrorizuan Ballkanin, veçanërisht Kosovën, në vitet 1990?
Kësaj pyetjeje nuk i përgjigjem dot, por po sjell një shembull që më duket relevant për argumentin. Më 8 gusht 1969, me urdhër të cult leader-it Charlie Manson, një grup hippiesh i njohur si The Manson Family hynë në një shtëpi nw Hollywood dhe vranë gruan shtatzënë të Roman Polanski-t, aktoren Sharon Tate, bashkë me disa mysafirë të tjerë që gjendeshin atje – një krim që tronditi Amerikën. Sipas Manson-it, kjo vrasje duhej të shënjonte fillimin e një lufte racash në SHBA, të cilën luftë ai e quante Helter Skelter, sipas titullit të një kënge të Beatles-ve nga White Album. Pasi kryen vrasjet në vilë, pjesëtarët e bandës shkruan në mure, me gjak, disa fraza mes të cilave edhe Helter Skelter (thuhet edhe se e patën shkruar fjalën gabim, si Healter Skelter).
Tani, në anglishte kjo helter skelter do të thotë rrëmujë, konfuzion, kaos; dhe kënga e Beatles-ve, e shkruar nga Paul McCartney, është për një amusement park ride, ku thuhet, mes të tjerash: When I get to the bottom I go back to the top of the slide / Where I stop and I turn and I go for a ride / Till I get to the bottom and I see you again. Charlie Manson ishte i bindur se, nëpërmjet kësaj kënge, McCartney po dërgonte mesazhe të koduara, për të nisur luftën ndër-raciale. Një nga ndjekëset e tij dekaroi më pas se, në mendjen e Manson-it, çdo këngë e Beatles-ve në White Album përmbante mesazhe për kultin e tyre dhe lëvizjen Helter Skelter.
Është thënë, më pas, se kënga Helter Skelter e Beatles-ve luajti rol kyç në zhvillimin e heavy metal – por edhe të punk rock; dy zhanre muzikore që i kanë bashkëlidhur me dhunën. Megjithatë, askush nuk i ka bërë Beatles-at përgjegjës moralisht për marrëzitë kriminale të Charlie Manson-it; aq më tepër që, në fund të viteve 1960, kish një rrymë irracionale, në kulturën pop të Perëndimit, që kërkonte për mesazhe të fshehura në këngët e sukssesshme.
Prandaj gjithnjë është mirë të kujtojmë dhe të bëjmë dallim mes leximit të një vepre arti dhe përdorimit të saj; kujtoj këtu se muzikën heavy metal dhe kushërirën e saj death metal e kanë përdorur si mjet torture, në burgjet amerikane në Irak, në Afganistan dhe në Gitmo; dhe unë njoh disa që do të rrëfenin krime që s’i kishin bërë, po t’i detyronin të dëgjonin, për një kohë të gjatë, muzikën që transmetojnë supermarketet amerikane gjatë Krishtlindjeve. Por le të vijmë te Kalasnjikov-i. Me sa kuptoj unë, kënga i qaset temës me qesëndi, gati me hilaritet, duke glorifikuar por në distancë një kulturë të dhunës teatrale, ose që nuk mund të merret seriozisht; e gjitha kjo, brenda kontekstit të universit rom (cigan) në muzikën dhe estetikën e Bregoviçit. Romët e tij, edhe kur vringëllijnë një kallashnikov, të bëjnë të buzëqeshësh. (Peizazhe.com)