Më shumë se një vit që nga shpërthimi i pandemisë së Covid-19, bota po përballet me një variant shumë të transmetueshëm që ka shkaktuar rritje të rasteve kudo në botë.
Varianti Delta, i cili u zbulua për herë të parë në Indi në tetor të 2020 është përhapur në më shumë se 130 vende, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkruan protothema.
Disa vende në Europë kanë njoftuar masa të reja për të mbajtur në kontroll përhapjen e variantit, i cili po prek kryesisht të rinjtë. Sipas një njoftimi të zëdhënësit të qeverisë greke, Giannis Oikonomou vendi pritet të rikthejë disa nga masat anti-Covid për të menaxhuar pandeminë në aspektin ekonomik dhe shoqëror.
“Pandemia nuk ka përfunduar, dhe herë pas herë na kërcënon me kokëfortësinë e saj. Ne nuk e dimë nëse të gjithë njerëzit do të vaksinohen, apo do të sëmuren duke rrezikuar edhe personat e vaksinuar, prandaj një vendim rreth masave do të bëhet i ditur të martën.
Zëdhënësi i qeverisë, duke folur për SKAI, vuri në dukje se ekziston mundësia që maska të bëhet e detyrueshme në ambientet e jashtme. Ai gjithashtu tha se masat do të merren në varësi të zonave.
Personat e vaksinuar sigurisht do të kenë më shumë përfitime, ndërsa të pavaksinuarit do të duhet të testohen një herë ose dy herë në javë duke filluar nga shtatori. Giannis Oikonomou, theksoi se nuk do të ketë një bllokim të përgjithshëm.
Rikujtojmë se Greqia shënoi rekord të infektuarish ditën e djeshme. Vendi regjistroi 3, 625 raste duke e çuar numrin e përgjithshëm në 554, 055.
Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se 30 persona kanë humbur jetën, ndërsa që nga fillimi i pandemisë kanë humbur jetën 13, 328 qytetarë, 95.2% e të cilëve kishin sëmundje shoqëruese dhe i përkisnin grupmoshës mbi 70-vjeç.