Muaji gusht do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha grupmoshat mbi 8 vjeç, për të kryer vaksinën në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqëndruara duke u paraqitur vetëm me kartën e identitetit. Për të pamundurit njësitë e lëvizshme të vaksinimit, do të jenë kudo në territor për t’ju dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID-19 pa asnjë kufizim. Në qendrën e vaksinimit pranë stadiumit “Air Albania” po vijon procesi i vaksinimit të qytetarëve të cilët u shprehën për ATSH-në se të gjithë duhet të vaksinohen. “Morëm dozën e dytë të vaksinës Sinovac. Dozën e parë e kemi bërë më datën 2 korrik dhe nuk patëm asnjë shqetësim, asgjë, çdo gjë është krejt normale dhe kushtet janë tepër optimale. E gjithë bota po vaksinohet dhe nuk është një sëmundje që i përket vetëm Shqipërisë është një sëmundje në shkallë botërore, kështu që duhen përgëzuar ata që kanë marrë masat për vaksinat dhe ne po vaksinohemi. Kjo për të shmangur sado pak këtë problematik që e ka e gjithë bota. Tani që jam vaksinuar ndihem më i mbrojtur”, shprehet një qytetar.
“Sot erdha për të bërë vaksinën. Unë jetoj jashtë, në Milano dhe kam ardhur për pushime dhe duke e parë që andej ka shumë fluks të madh dhe radhë, zgjodha që ta bëj këtu. Në fillim na thanë që nuk është e detyrueshme mirëpo tani po bëhet e detyrueshme dhe e gjithë bota po shkon në këtë drejtim. Duhet ta bësh sepse kur vendos që të dalësh jashtë kufirit do të nxjerrin probleme. Në fakt unë e kam kaluar virusin që në kohën kur ishte vala e parë”, shprehet për ATSH një student.
“Nuk e kuptoj edhe rezistencën që kanë një pjesë e njerëzve që nuk duan ta bëjnë për derisa e gjithë bota po e kërkon për ta bërë. Unë për t’u mbrojtur e bëra vaksinën sepse jam edhe i sëmurë nga mëlçia, megjithëse për sa kohë që ishte pandemia unë nuk pata ndonjë problem. Për t’u siguruar për veten time unë vendosa që ta bëj vaksinën. Bëj apel për të gjithë njerëzit që ta bëjnë vaksinën pasi nuk ka asgjë të keqe dhe mbron shëndetin. Përveç se mbron veten, mbron edhe të tjetër. Tani sigurisht që ndihem edhe më i sigurt, madje jam gati të bëj edhe një dozë të tretë sikurse kohët e fundit po merren vendime në disa vende të botës”, u shpreh një qytetar për ATSH.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,203,087 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 530,322 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID. Në 24 orët e fundit janë kryer 4,154 vaksinime.