Nga Skënder Minxhozi/
Dorëheqja publike e Mark Markut nga mandati i deputetit ka krijuar në orët e fundit një klimë krejt të re brenda Partisë Demokratike. Ka krijuar klimën e pezullisë dhe paqartësisë që nuk e kishte sjellë as fushata formale për kreun e partisë, një garë të cilës i dihej rezultati ende pa nisur. Mark Marku ka dëshmuar se frustrimi për pozitën ku ndodhet partia dhe mungesa e ndjeshmërisë ndaj zinxhirit të humbjeve, mund të sjellë edhe gjeste të forta si ky i dorëzimit të një mandati të fituar vetëm pak muaj më parë.
Partia Demokratike po fillon më në fund, pas tetë vitesh refuzimi të përballjes me realitetin, që të shohë veten në pasqyrë. E jo të ankohet se pasqyra është e shtrembër dhe e nxjerr padrejtësisht të shëmtuar! Arsyet e ish-deputetit Marku për largimin nga PD janë në fakt një ekstrakt i një pjese të kritikave që i janë bërë me kohë kësaj force politike, ku humbja dhe qëndrimi në opozitë është kthyer tashmë në skemë biznesi nga kreu i partisë dhe ku askush nuk jep llogari për asgjë. PD sot është një opozitë me dyer të mbyllura, ku gjithçka duket e fokusuar tek fati i lidershipit, e jo i partisë.
Me Berishën që çon në gjyq Uashingtonin dhe Lulzim Bashën që nuk bëzan as po t’i fusësh duart në fyt për këtë situatë paradoksale, PD po i hyn një opozite të gjatë dhe të vështirë, të cilën Marku e sheh me të drejtë si rrugë pa krye, duke u hequr mënjanë. Një gjest që e nderon në planin personal, pasi tregon edhe një herë se një personazh publik i angazhuar në politikë për shkak të bindjeve dhe i palidhur me interesa e i papërfolur për korrupsion, nuk ka asgjë për të humbur, përveç dinjitetit të tij. Dhe Marku na tregoi se dinjitetin e ka më të vlefshëm se mandatin e deputetit.
Gjatë fushatës së fundit për kreun e partisë, i vetmi kandidat që u përball hapur dhe e sulmoi publikisht idhullin e paprekshëm Berisha, ishte Fatbardh Kadilli. Ashtu si kolegu i tij Mark Marku, edhe Kadilli nuk mund të akuzohet si një kolonë e pestë e Edi Ramës apo si një demokrat i orëve të fundit. Që të dy kanë bërë beteja publike në favor të opozitës dhe nuk kanë asnjë lidhje me pushtetin aktual.
Këmbana e alarmit që Marku dhe Kadilli po tundin fort këto orë n ë derën e partisë së tyre, bie për veshët e shurdhët të një mase të madhe zyrtarësh e burokratësh që ngurrojnë të shkëputen nga karroja e humbjes e Lulzim Bashës, duke preferuar pozitën komode të atij që hesht sepse s’ka këllqe të ngrejë zërin.
Prej vitesh PD është dergjur në një gjoja rotacion të pambyllur të vitit 2013, ku ish-kryetari historik bëri sikur iku, ndërsa kryetari formal bëri sikur erdhi. Ky rotacion i pambyllur e ka kthyer PD, siç shprehet Mark Marku “një parti private të Bashës dhe Berishës”. Ky paradoks politik, ku i riu varet për çdo gjë nga kapistalli i të vjetrit, duke mos guxuar as të marrë frymë pa marrë leje, është impassi i madh ku ka mbetur peng opozita e sotme. Aq më shumë kur kjo varësi e ka vendosur partinë edhe në pozicionin qesharak të një lufte me Amerikën, për shkak të interesit personal të Sali Berishës.
Më në fund sot në PD ka njerëz që guxojnë të kërkojnë llogari edhe duke sakrifikuar në rrafshin personal. Ka zëra të guxojnë ta quajnë humbjen humbje dhe që kërkojnë që shkaktarët e disfatave të hiqen mënjanë. Mark Marku i tregoi Bashës sesi jepet dorëheqja. Jo se Basha mezi po pret t’ja tregojnë këtë gjë, por sepse pa goditje të tilla publike dyshja Basha-Berisha do të vazhdojë ta çojë partinë edhe më poshtë, edhe më keq…