Inter ka përshpejtuar veprimet për të siguruar Edin Dzeko-n. Sipas Corriere dello Sport, duket se do të jetë boshnjaku që do të marrë vendin e Lukaku-t te zikaltrit.
Trajner Simone Inzaghi e vlerëson shumë dhe e konsideron një prioritet sepse ka eksperiencë, nuhatje për golin dhe është një lider.

Sulmuesi mund të largohet me kosto zero nga Roma ose duke paguar një dëmshpërblim të vogël prej 2 milionë eurosh. Dzeko ka një kontratë me verdhekuqtë deri në qershorin e vitit të ardhshëm (fiton 7.5 milionë euro), që Interi do të zgjasë më 12 muaj të tjerë (është arritur marrëveshja për 5.5 milionë euro në sezon plus bonuse).

Mes Dzeko-s dhe familjes Friedkin duket se ekziston edhe një premtim: ajo që klubi do ta kishte lënë të lirë të largohej nëse do të kishte gjetur një klub që do t’i pëlqente, gjë që duket se ka ndodhur.