Interi i Simone Inzaghi bën sot debutimin zyrtar me “Tricolore” në gjoks në Serie A (2021-2022), duke u përballur me Genoa në “San Siro”. Për trajnerin e ri të zikaltërve, i cili do të ketë detyrën e vështirë të mos e bëjë Antonio Conten të pendohet, do të jetë e rëndësishme ta fillojë me këmbën e djathtë, pavarësisht largimeve të dhimbshme në merkato të dy lojtarëve kryesorë në fitimin e titullit, siç janë Hakimi dhe Lukaku.
Trajneri nga Piacenza gjithashtu do të duhet të përballet me disa mungesa të rëndësishme: Lautaro Martínez, i cili duhet të shlyejë një ndeshje skualifikimi, dhe Alexis Sánchez, që vuan një problem me muskulin e shputës së këmbës. Mungon edhe Gagliardini në mesfushë, viktimë e një shqetësimi në ligamentin kolateral.
Përpara kapitenit Handanovic, mbrojtja me tre lojtarë, me de Vrij në qendër dhe Skriniar e Bastoni në të dyja anët. Në mesfushë Brozovic do të jetë krijuesi i lojës, i rrethuar nga Barella dhe Sensi. Balotazh në të djathtë, ku Darmian është aktualisht favorit mbi nënshkrimin e ri holandez Dumfries, ndërsa Perisic do të veprojë në të majtë.
Në sulm, turku Çalhanoglu do të mbështesë qendërsulmuesin Edin Dzeko. Historia është në anën e zikaltërve. Fitorja e fundit e Genoa në Milano daton më 27 mars 1994, kur djemtë e Scoglio arritën një sukses historik 3-1 kundër Interit të Osvaldo Bagnoli.
Ja formacionet e mundshme:
INTER (3-5-1-1): Handanovic; Skriniar, de Vrij, Bastoni; Darmian, Barella, Brozovic, Calhanoglu, Perisic; Sensi; Dzeko.
GENOA (3-5-2): Sirigu; Vanheusden, Biraschi, Criscito; Sabelli, Sturaro, Badelj, Hernani, Cambiaso; Bianchi, Pandev.