Përmirësimi i infrastrukturës rrugore sipas standardeve më të mira në zonat rurale piktoreske të bashkisë Korçë, është investim që krijon mundësi të reja për zhvillimin e atraksioneve turistike dhe nxit turizmin familjar. Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo u shpreh për ATSH-në, se “po vijojnë punimet me ritme të mira për rikonstruksionin e rrugës Dardhë-Arrëz deri në fshatin Nikolicë”.

Sipas tij, projekti i investimit në këtë aks rrugor parashikon punime në të gjithë trupin e rrugës, në shtresat bazë asfaltike, ndërtimin e mureve mbajtës, ndriçimin dhe gjelbërimin e saj, sipas modeleve më të mira. Ky aks rrugor është mjaft i përdorur nga vizitorë dhe turistë të huaj që frekuentojnë fshatin turistik të Dardhës, por dhe Nikolicën që shumë shpejt, me investimet e reja turistike që po ndërmerren (pista e skive dhe resortet turistike dimërore) synojnë ta shndërrojnë atë në një destinacion me potencial të veçantë të turizmit korçar.

Gjithashtu këto dy fshatra janë pjesë edhe e programit “100+ Fshatrave” ku përmes granteve të ndryshme që aplikohen, mbështetet nxitja e zhvillimit të një sërë sektorësh nga bujqësia, turizmi, transporti etj.