Policia italiane ka arrestuar dy barinj në Siçili të shtunën me dyshimin se ndezën zjarre për të hapur kullota për bagëtitë e tyre.

Në një njoftim për mediat, policia tha se dy barinjtë kishin planifikuar një zjarr tjetër të madh dhe shumë të rrezikshëm.

Zjarret që shpërthyen në pjesën jugore të Italisë këtë verë, të ndihmuar edhe nga temperaturat e larta, shkatërruan pyjet në Kalabri dhe në ishujt e Siçilisë dhe Sardenjës.

Policia në Sirakuzë, në jug-lindje të Siçilisë, një rajon ku temperaturat arritën pothuajse në 49 gradë Celsius të mërkurën tha se hetimi ndaj tyre zbuloi se ata ishin përgjegjës për të paktën dy vatra zjarri në zonë.

“Qëllimi i tyre ishte të zmadhonin sipërfaqen e kullotës së bagëtive të tyre me synimin për të kursyer para në farat foragjere”, citohet nga deklarata e policisë.