Wijnaldum, Sergio Ramos, Hakimi, Donnarumma dhe së fundi Lionel Messi janë emrat e bujshëm që zgjodhën të transferohen te Paris Saint Germain, ku do të gjejnë edhe futbollistë të tjerë të kalibrit botëror si Neymar, Mbappe, Verratti, Marquinhos, Di Maria etj. Të gjithë së bashku e bëjnë klubin kryeqytetas pa diskutim më të fortin në letër dhe favoritin absolut për të triumfuar në çdo kompeticion ku do të marrin pjesë, megjithatë ka edhe njerëz që shohin me skepticizëm Paris Saint Germain dhe nuk janë aspak të bindur që ata mund të bëjnë gjëra të mëdha.
Një ndër ta është edhe ish legjenda gjermane e portës, Olivier Kahn, i cili aktualisht mban postin e drejtuesit më të lartë të Bayernit të Mynihut dhe në një event sponsorizimi shprehu gjithë dyshimet e tij mbi suksesin e klubit parizien. “Nëse shikon emrat që kanë në skuadër, ata janë një ekip i jashtëzakonshëm këtë sezon. Por a mjafton kjo? Është vërtetë diçka e shumë impresionuese të shohësh një ekip me sulm të përbërë nga emra si Neymar, Messi e Mbappe, absolutisht më të mirën në rolet e tyre, por sfida është që ata të përshtaten përkrah njëri-tjetrit. Nuk do të jetë aspak e lehtë të bëjnë një grup të fortë, pasi futbolli është një sport kolektiv dhe nuk fiton dot nëse nuk ke skuadër të harmonizuar. Shembullin më të mirë na e dha Italia në Europian, që ndonëse pa yje të kalibrit të lartë, ia doli të triumfojë, duke bindur përballë çdo kundërshtari, pasi kishte një grup të vërtetë, të jashtëzakonshëm”, deklaroi ish portieri gjerman.