Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë evidentuan sot një rast mosdeklarimi të ardhurash në kufi dhe sekuestruan shumën prej 30 mijë eurosh.

Si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Policisë Kufitare kontrolluan automjetin tip Mercedez ML, me drejtues shtetasin francez R. M., 62 vjeç, banues në Lion, Francë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjetën në bagazhin e mjetit, në një zarf letre 30 000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, shtetasi francez R. M. u procedua penalisht për veprat penale Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi dhe Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.