La Liga ka lajmëruar këtë të mërkurë se ka arritur një marrëveshje në parim për t’i shitur 10% të kampionatit spanjoll firmës CVC Capital Partners për 2.7 miliardë euro, një shumë që duhe t’u japë oksigjen klubeve spanjolle që janë prekur nga pandemia.
Marrëveshja, e para në llojin e saj nga një kampionat i madh europian, e vlerëson La Liga-n 24.4 miliardë euro dhe pritet të miratohet nga bordi i La Liga-s dhe ai i CVC më vonë ditën e sotme, është bërë e ditur në një komunikatë për shtyp. Rreth 90% të shumës që CVC do të investojë, do të kanalizohet drejtpërdrejt te klubet e La Liga-s, por edhe te skuadrat e kategorive inferiore.