Kampionati spanjoll reshti së qeni “Liga më e mirë në botë” siç quhej në Spanjë, kur Cristiano Ronaldo u largua 3 vite më parë nga Real Madrid për të kaluar te Juventus.
Mungesa e rivalitetit të drejtpërdrejtë të dy lojtarëve që kanë sunduar botën e futbollit në 15 vitet e fundit bëri që një pjesë e vëmendjes tek La Liga të binte vetvetiu. Një pjesë e mirë e futbolldashësve ishin të mendimit se Messi është ai që është për shkak të Ronaldo-s, dhe Ronaldo është ai që është për shkak të Messi-t.
El Classico ishte ndeshja që të gjithë e prisnin, kur argjentinasi dhe portugezi viheshin përballë njëri-tjetrit. Klasikja e humbi një farë shkëlqimi, kur Ronaldo u largua. Por çfarë do të ndodhë tani me kampionatin spanjoll që edhe lojtari më i mirë i të gjitha kohërave do të largohet. Në një moment që askush nuk e priste, Messi nuk arrin marrëveshjen me Barcelonën, që siç thuhet nga Presidenti i këtij klubi, ndodhi për shkak të Fair-Play financiar të La Liga-s.
Një vit më parë, Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Javier Tebas, tha se largimi i Messi-t do të ishte humbje më e madhe për futbollin spanjoll se sa ajo e Ronaldo-s. Dhe tani një vit më pas, ishte vetë ai që pati ndikim në një farë mënyre në largimin e argjentinasit. Liga Spanjolle pati pasoja të mëdha financiare në imazhin ndërkombëtar pas shitjes së Ronaldo-s tek Juventus. Një katastrofë akoma më e madhe pritet pas largimit të Messi-t. Një vit më parë emri i 6 herë fituesit të Topit të Artë, ishte i vetmi në TOP 50 e botës. Numri i tifozëve të tij është i pabesueshëm, nga favelat e varfra të Brazilit e deri në vendet më të pasura të botës.
Mos veshja e fanellës kuq e blu me numrin 10 nga “Pleshti”, nuk do të ketë impakt negativ vetëm tek Barcelona, por tek një kampionat i tërë, të cilit i kanë mbetur vetëm pak emra të mëdhenj. Nuk është se Spanja nuk ka lojtarë të talentuar, pasi nuk mungojnë futbollistë si Karim Benzema, Luis Suarez apo Eden Hazard. Por ka një dallim të madh mes të qenit i talentuar dhe të qenit markë globale. Dhe efektin e parë, largimi i Messi-t e ka dhënë menjëherë. Nga ana financare, do të jetë një goditje e madhe për kampionatin spanjoll, për të cilin kanë rënë shitjet.
Në vitin 2018, La Liga kishte rreth 76 milionë ndjekës për ndeshje, dhe pas largimit të Ronaldo-s u pa një rënie e konsiderueshme. Largimi i Messi-t do sjellë efekt negativ edhe tek klubet e vogla apo klubet me vështirësi financiare. Mos-shitja e kampionatit spanjoll, do t’i bëjë ata të pakonsiderueshme në syrin e publikut. Vetëm prezenca e argjentinasit, bënte që shumë futbolldashës të dinin edhe për ekzistencën e disa ekipeve të vogla. Prej vitesh tashmë shitja e kampionatit spanjoll duket në rënie të lirë. Largimi i Neymar në 2017, e pasuar me atë të Xavi Hernandez, Cristiano Ronaldo-s dhe Andres Iniestas, e tani me kapitenëve legjendarë të El Classico-s, Sergio Ramos e Leo Messi, i ka dhënë një goditje të madhe arkës së La Liga-s.