Sapo është bërë pjesë e Paris Saint Germain, ku ka firmosur për dy sezone dhe Lionel Messi është shfaqur menjëherë i karikuar maksimalisht për aventurën e tij të re, teksa ka theksuar se mezi pret të zbresë në fushë me fanellën e klubit kryeqytetas.
“Mezi pres të nis një tjetër kapitull të ri të karrierës time, këtu në Paris. Vizioni i klubit është në sintoni perfekte me ambiciet e mia. E di që këtu ka shumë futbollistë të talentuar, ndaj jam i karikuar të ndërtoj bashkë me ta diçka të madhe për tifozët e klubin. Mezi pres të luaj në “Parc des Princes” para tifozërisë”, deklaroi ylli argjentinas. Nuk ka munguar as prononcimi i bosit të klubit francez, Nasser Al Khelaifi, i cili ishte edhe njeriu që plotësoi pretendimet ekonomike të yllit argjentinas dhe e bindi të transferohet në Paris, teksa pranoi se me afrimin e Messit, ambiciet e PSG-së shtohen edhe më shumë.
“Jam shumë krenar që Lionel Messi zgjodhi të na bashkohet neve te Paris Saint Germain, ndaj i urojmë mirëseardhjen në Paris, atij dhe familjes së tij. Ai nuk e fshehu dëshirën të luajë në nivele të larta dhe të fitojë shumë trofe, ambicie që janë të njëjtat me ato të PSG-së. Me Messin dhe yjet që kemi në ekip, por edhe trajnerin e stafin e tij të mrekullueshëm, mezi pres që të shkruajmë historinë për të gjithë tifozët tanë”, deklaroi Al Khelaifi.
Ndonëse Neymar u tregua i gatshëm të heqë dorë nga numri 10, Messi vendosi të veshë fanellën me numrin 30 te Paris Saint Germain, me klubin kryeqytetas që mori për këtë edhe një leje speciale nga Ligue 1, që atë numër e ka paracaktuar për t’u mbajtur nga një portier. Ylli argjentinas pritet të nisë që sot përgatitjet nën urdhrat e trajnerit Maurizio Pochettino, megjithatë për ta parë në fushë, tifozët e PSG-së do të duhet të presin ende edhe disa ditë, pasi Messi vjen pas pushimeve dhe do të duhet të rigjejë formën e tij më të mirë.