Reperi Majk ka marrë dozën e parë të vaksinës anti-Covid. Ai ka publikuar në Instagram një video të tij në momentin e vaksinimit dhe duket në formë të mirë shëndetësore. Reperi nuk ka zbuluar se çfarë vaksine ka marrë, por ju ka bërë një thirrje ndjekësve të tij.

“Merrni vaksinat nëse doni me dal në klub”, ka shkruar ai.


Para disa ditësh, Kosova mori vendimin që të mos lejojë asnjë qytetar të hyjnë në klube nate, qendra tregtare apo lokale dasmash pa u vaksinuar. Oda e Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë njoftoi se të gjithë qytetarët e Kosovës që duan të shkojnë në dasma, qendra tregtare dhe klube nate duhet të jenë me patjetër të vaksinuar kundër Covid-19.

“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqëror, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-covid, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, thuhet në njoftimin e OHT-së. Deri më 12 gusht, punonjësit e këtyre sektorëve duhet të jenë të vaksinuar të paktën me dozën e parë të vaksinës.

“Ndërsa sa i përket stafit punues të këtyre sektorëve obligohen që deri më datë 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit”, thuhet në njoftim. Gjithashtu është diskutuar edhe zgjatja e orarit për klubet e natës. “Gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate”, bën të ditur njoftimi.