Ish-kryeministri Sali Berisha duket se nuk do ta ketë aspak të lehtë të mbajë mandatin e deputetit. SHBA po ushtron presion të fortë për ta larguar dhe në rast se nuk kemi dorëheqje ose përjashtim nga grupi i PD, sinjalet janë se do të vihet në lëvizje KQZ. Gazeta Sot, shkruan se do të ndiqet shembulli Doshi.

Por nëse KQZ e ndërmerr këtë akt, sa janë gjasat që Berisha të shkarkohet ose jo dhe cilat janë hapat që duhen ndjekur?

Së pari KQZ pritet të kërkojë verifikim në prokurori sikundër ndodhi me Tom Doshin.

Nëse KQZ nuk e ndërmerr këtë hap, pritet që PS ta kërkojë këtë gjë dhe KQZ është e detyruar të vihet në lëvizje. Më pas e ka në dorë prokurori të dërgojë raportin e hetimeve për zotin Berisha dhe në fund duhet që të vendosin organet e KQZ nëse i hiqet apo jo mandati. Kërkesa e prokurorisë do të shqyrtohet fillimisht nga Kryekomisioneri Ilirian Celibashi. Në varësi të vendimit që do të marrë ai, me shumë gjasë çështja do shkojë në Komisionin e Sanksioneve dhe Ankesave, për të marrë formë të prerë.

Nëse shkarkohet, avokatët e Berishës mund ta ankimojnë vendimin dhe nëse jo, pritet ta bëjnë socialistët ankimimin. Por nëse situata shkon deri në KAS, atëherë do të kemi një betejë interesante.

KAS ka këtë përbërje: Z. Elvin Lako; Z. Elvis Çefa; Z. Ilirjan Rusmali; Z. Koli Bele; Z. Ledio Braho. Tre emrat e parë janë propozuar në KAS nga PS dhe 2 të fundit nga PD. Interesant është fakti se zoti Ilir Rusmali ka qenë një demokrat i vjetër. Ai ka qenë deputet i PD dhe kryetar i Komisionit të Ligjeve.

Po ashtu Berisha e emëroi ministër Drejtësisë, por që u dorëhoq më pas për shkak të akuzave ndaj të vëllait. PS e propozoi atë për Kryekomisioner, por PD e skualifikoi, çka do të thotë se raportet sikur janë krisur.

Nëse rasti i Berishës arrin të shkojë deri në KAS, mund të themi se fati i tij do të jetë në dorë të Ilir Rusmalit. Në vitin 2012 ndodhi krisja e madhe mes tyre dhe kjo bëri që pas humbjes së zgjedhjeve në 2013, Rusmali të ndërpriste kontaktet me PD.

Përplasjet e Berishës me Rusmalin

Në 30 tetor 2012, Ilir Rusmali, si kryetar i Komisionit të Ligjeve, hodhi poshtë një propozim të qeverisë Berisha për ndryshimin e ligjeve për përgjimet, duke nxjerrë jashtë loje gjykatën. Ligji synonte legalizimin e përgjimeve dhe madje nxjerrjen jashtë kontrollit të këtij procesi sensitiv.

Kundër votuan edhe Enkelejd Alibeaj, Arenca Trashani, Luan Skuqi, Paulina Hoti, Ylli Lama, Fatos Hoxha, Ilir Bano, Astrit Bushati, Dashnor Sula dhe Tritan Shehu. Ilir Rusmali, në tetor të vitit 2014, pranoi se krisja me Berishën erdhi për shkak të ligjit për përgjimet.

Propozimi i Prokurorisë ishte defektoz, i cili nuk rrinte dot në kontekstin e ligjit dhe të amendamenteve që ishin paraqitur. Në atë kohë, me vullnet shumë të mirë pozitiv, ne u përpoqëm që t`i jepnim projektligjit cilësitë që i mungonin.

Bashkohem me konkluzionet e z.Gumi, se nëse do të kishim pranuar amendamentin që na u servir si i domosdoshëm, sot do të kishim përgjimin si një fenomen masiv në çdo cep të territorit të Shqipërisë dhe ky fenomen do të ishte shumë i vështirë për t’u kontrolluar, tha ai.

Nëse fati e do që puna të shkojë deri në KAS, atëherë duket se fati i Berishës do varet nga ai që fillimisht e kishte bashkëpunëtor, por që pastaj e nxori nga partia.