Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev deklaroi se
vendi i tij ka informuar SHBA-në se qëndron në dispozicion të saj për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve të popullatës civile nga Afganistani.

”Afganistani po përballet me një katastrofë të mundshme humanitare dhe prandaj ne si qeveri i kemi informuar partnerët tanë strategjik dhe SHBA-në se qëndrojmë në dispozicion për të ndihmuar konform kapaciteteve dhe nevojave tona”, deklaroi Zaev.

”Me qëllim shpëtimin e jetëve të popullatës civile, kemi informuar se jemi të gatshëm të ndërmarrim dhe pranojmë popullatë civile nga Afganistani, që 20 vitet e fundit ka punuar për paqen në vend, ka qenë mbështetje lokale e aleateve të NATO-s, përfshirë ushtrinë tonë, si dhe ndërmarrjen dhe pranimin e aktivistëve nga organizatat humanitare demokratike dhe organizatat për të drejta të njeriut në Afganistani”, theksohet në deklaratën e Zaevit.

”Shteti është i gatshëm të sigurojë akomodim në hotele, ndërsa shpenzimet gjatë kohës së qëndrimit të tyre deri në sigurimin e destinacionit të përhershëm, do të mbulohen nga SHBA”, shtoi ai.

”Ne jemi një vend solidar, populli ynë dhe shoqëria jonë çdoherë kanë dhënë mbështetje dhe ndihmë, siç kemi marrë ndihmë gjatë katastrofave të mëdha. Bashkë me SHBA-në do t’i planifikojmë hapat e ardhshëm për veprim të mëtejshëm”, tha Zaev.

Ndërkohë, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright falënderoi Shqipërinë, Kanadanë, Kosovën dhe Maqedonisë së Veriut që kanë rënë dakord t’u sigurojnë akomodim grave dhe fëmijëve të liderëve të shoqërisë civile afgane.