Nikoll Lesi ka komentuar në gazetën e tij, lënien e mandatit të deputetit nga Mark Marku. “Deputeti i zgjedhur i PD-së Mark Marku dha dorëheqjen me një letër publike, ku lëshonte vikamën e madhe se ku ka sosur opozita shqiptare.

Ai foli në Kuvendin e PD-së dhe askush nuk e dëgjoi. Marku luftoi kundër qeverisë dhe kryeministrit në një zonë delikate, ku krimi bleu vota, por nuk u dorëzua.

Mark Marku ka lëshuar thirrjen e madhe duke dhënë dorëheqjen nga deputet demokrat se PD-ja po fiket, po mbyllet në kullën e ish-kryetarit dhe në vilën e kryetarit.

Deputeti i dorëhequr thotë se populli opozitar po gënjehet nga lidershipi i PD-së se gjoja do vijnë në pushtet, por me këtë opozitarizëm vetëm sa i garantojnë me shumë jetën në pushtet Edi Ramës. Marku iku, por la pas shijen e hidhur se kemi një seli blu ineficente, në mos pazarxhie me pushtetin.

Ai hapi perden e dramës ku demokratët duhet të hapin sytë. Mark Marku veproi me dinjitet; ua hodhi mandatin mu në oborrin e selisë së PD-së, duke u thënë se ju po shkatërroni idealin opozitar”, shkruan ai.