Turizmi kulturor në Berat është në rritje dhe shifrat janë optimiste, ndërkohë që dominojnë turistët nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani, gjatë muajit korrik, Beratin e vizituan rreth 30 034 vizitorë. Edhe pse jemi akoma shumë larg nga shifrat e vitit 2019, Kallfani shpreh bindjen se “tashmë rimëkëmbja e gjatë, por e qëndrueshme e fluksit të vizitorëve vazhdon”. Sipas tij, “e veçanta e këtij viti është larmishmëria e kombësive nga e gjithë bota edhe pse deri tani dominojnë vendet e Europës qendrore dhe lindore”. “Berati është vlerë e jashtëzakonshme e Trashëgimisë Kulturore Botërore. Ta mbrojmë e të kujdesemi të gjithë së bashku”, u shpreh Kallfani.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit. Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.