Deputetja e zgjedhur e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti deklaroi sot se shqiptarët nuk mund të qëndrojnë indiferent ndaj ngjarjeve që po ndodhin në Afganistan, por gratë, fëmijët dhe refugjatët afganë duhen mikpritur sikurse ne dikur larg nga viset tona.
“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Populli ynë, i cili ndër vite ka kaluar në rrjedha të mundimta mes kohës dhe historisë nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj ngjarjeve që po ndodhin në Afganistan”, tha ajo.
Gjylameti tha se mikpritja e miqve afganë siç e do kodi i fortë i Besës, e lartëson emrin dhe virtytin e kultivuar ndër shekuj mes shqiptarësh, duke dëshmuar edhe njëherë vlerat tona unikale kombëtare.
“Miku nuk dorëzohet për asnjë arsye. Shembull kuptimplotë i kësaj janë hebrenjtë, të cilët gjatë Luftës së II Botërore gjetën në vendin tonë një strehë të sigurt. Numri i tyre madje u dyfishua në kohën e terrorit nazist, pikërisht nga ky kod i veçantë, ata gjetën në Shqipërinë tonë hapësirën e paqtë si askund tjetër. Ka ardhur koha të tregojmë që këto vlera gjenden në rrënjët tona. Gratë, fëmijët, refugjatët afganë duhen mikpritur sikurse ne dikur larg nga viset tona”, tha ajo.