Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka pritur në ministri vëllezërit Keta.
“Kisha kënaqësinë e veçantë të mirëprisja në ministri vëllezërit Keta, tek të cilët spikat jo vetëm talenti dhe pasioni për sportin, por edhe puna, vullneti dhe sakrifica për të arritur majat e suksesit”, u shpreh Kushi.
“Njëri prej tyre, Feriti, sapo u shpall pak ditë më parë kampion bote në Kick-box, në eventin madhështor në Kalanë e Bashtovës”, tha ministrja Kushi.
“Ata janë model frymëzimi për të rinjtë shqiptarë edhe për vlerat e larta njerëzore dhe kontributin në mbështetjen e talenteve të reja. Pikërisht këto vlera i bëjnë ata akoma më shumë kampionë. Krenare për sportistët shqiptarë!”, theksoi Kushi.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi mori pjesë në 14 gusht, në eventin e madh ndërkombëtar sportiv “Duel në Themel”, të organizuar nga vëllezërit Keta dhe bashkia Rrogozhinë në një atmosferë fantastike në Kalanë e Bashtovës.
Ministrja Kushi u shpreh se sporti bashkon popujt e njerëzit, si dhe nxit paqen, e solidaritetin, por ka edhe fuqinë të ngrejë lart emrin dhe flamurin e një kombi.