Mjeku shqiptar në spitalin e Lodit në Itali, Alban Beltoja, foli për situatën e krijuar nga koronavirusi në vendin tonë, ku ka shënuar një rritje të ndjeshme kurba e infektimeve. Në lidhje për “News24” nga Italia, mjeku anestezist dhe reanimator vuri theksin te vaksina, si çelësi për frenimin e përhapjes së virusit.

Ai iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, por edhe atyre në Itali, që të vaksinohen, pasi sipas tij, vaksina nuk fut mikrocipa në trup, nuk ndryshon ADN-në dhe as mendjen e njerëzve, raporton “BalkanWeb”.

“Vaksinimi në Itali po vazhdon, jo me ritmet sic ishte në muajt e mëparshëm, pasi numri i vaksinimit ka arritur në shifra rekord. Po arrijmë te 70% e popullatës, që e ka bërë vaksinës. Prandaj, në ditët e fundit, ulja e numrit në 200 mijë vaksinime në ditë, është pikërisht për këtë fakt. Në Itali, ata që kanë bërë vaksinën mund të hyjnë lirisht kudo, në të kundërt jo. Kjo është një masë e drejtë, pasi po mendohet për një valë të katërt që po merr vrull, ndaj dhe duhen marrë masa të tilla. Aktualisht në Itali po qarkullon masivisht varianti Delta. Në gjithë Italinë, ata që shtrohen në spitale, 8-9 janë të pavaksinuar, dhe vetëm 1 mund të jetë i vaksinuar. Më rezulton që vatrat kryesore të përhapjes së virusit, si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri, janë vatrat familjare. Vaksinimi është çelësi për të frenuar virusin. Shohim shumë të rinj të pavaksinuar, të moshës 20, 30, 40 vjeç, që kanë përfunduar në reanimacion. Kjo do të thotë se asnjë nuk është imun. Pavarësisht varianteve, ngelet i njëjti virus, sa i përket klinikës së prezantimit, sidomos me ato format e rënda. Është i njëjti koronavirus. Sa më shumë qarkullon, aq më shumë ndryshime e mutacione pëson. Prandaj duhet vaksinimi dhe maskat, që të ulet qarkullimi i virusit. ABC-ja e trajtimit të një pandemie është parandalimi. O e parandalon të mos e marrësh virusin, o e parandalon me vaksinim. Vaksina nuk do u bëjë asgjë njerëzve, nuk do u ndryshojë mendjen, nuk do futen mikrocipa, nuk do ndërrojë ADN-në, kështu që duhet bërë nga të gjithë”, tha mjeku Beltoja, duke shtuar se “Unë isha vetë në Shqipëri para një muaji. Kur nuk ka shumë raste, nuk ka kuptim të mbahen maskat në ambientet e jashtme, por ama në ambiente të brendshme me shumë grumbullime, duhen mbajtur. Nëse nuk mbahet maska, vazhdon transmetimi, vazhdon mutacioni. Koronavirusi po tregon se sa më shumë të godasë, aq më shumë do të shtrohen në spital, dhe aq më shumë do të vdesin”.

Duket se do të bashkëjetojmë gjatë me këtë virus, flitet në Itali për një dozë të tretë vaksine?

Po bëhet ky debat, por nuk është ky prioritet. Prioritet është vaksinimi sa më masiv i popullatës. Pra, para se të mendohet për një dozë të tretë, duhet bërë c’është e mundur të vaksinohen ata, që nuk kanë marrë akoma një dozë. Doza e tretë mund të jetë e nevojshme për personat e brishtë, për të sëmurët me tumore e sëmundje të tjera. Ata që nuk kanë probleme të tilla dhe që kanë marrë të dy dozat e vaksinës, janë sot komplet të mbrojtur nga ecuria e pafavorshme e sëmundjes. Pra, nëse infektohen, dhe kjo mund të ndodhë, e kalojnë shumë lehtë, me pak temperaturë e dhimbje fyti, që zgjat 2-3 ditë. Nuk shoh rrugë tjetër, përveç përdorimit masiv të vaksinës.

Çfarë rreziku kanë moshat nën 18 vjeç?
Edhe fëmijët mund të kenë gjendje të rëndë shëndetësore si të rriturit, nëse preken nga virusi. Janë parë edhe fëmijë me probleme të rënda. Me variantin brazilian pati raste me fatalitet shumë të lartë te fëmijët. Unë frikën e vetme e kam nga virusi, jo nga vaksina. Fëmijët e mi dhe të kolegëve janë vaksinuar. Vaksina ka marrë autorizimin e përdorimit, nuk është eksperimentim. Kam parë raste të miokarditit te fëmijët, për shkak të Covid-it. Simptomat e miokarditit janë dhimbje gjoksi, mungesë frymëmarrjeje gjatë sforcimeve, etj. Virusi nuk është pa pasoja për fëmijët. Unë nuk shoh efekte anësore të vaksinës te fëmijët.

Çfarë prisni të ndodhë, vala e katërt do të jetë agresive?
Tani nuk jemi si para një viti, kur nuk kishte vaksinë. Për mua nuk ka mundësi që të arrijmë në ato nivele. As në Shqipëri, edhe pse tani nuk po ecet aq mirë me vaksinimin. Megjithatë në Shqipëri, nuk besoj se do të kalojmë sërish një valë si më parë, pasi më duket se është nën kontroll si numër shtrimesh në spitale, për shkak se një pjesë kanë bërë vaksinën dhe një pjesë kanë kaluar virusin.