Policia e Shkodrës procedoi penalisht pronarin dhe menaxherin e një subjekti privat në Velipojë, i cili u konstatua duke ushtruar aktivitet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje sipas masave antikovid. Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat antikovid të vendosura nga organet kompetente.

Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë konstatuan dhe proceduan penalisht për veprën penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, shtetasit: V. M., 34 vjeç, banues në Gomsiqe e Re, Velipojë, pronar i subjektit në Velipojë dhe E. J., 25 vjeç, banues në Shkodër, menaxher i subjektit, pasi janë konstatuar duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë pas orarit të lejuar.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë për pronarin e këtij subjekti. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 8 pajisje muzikore që u gjetën në ambientet e këtij subjekti. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat antikovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.