Pas shumë muajsh testimesh teorike dhe trajnimesh, më në fund grupi i punës dhe i gjykimit të futbollit shqiptar ka dalë në terren për të testuar edhe në praktikë sistemin VAR.

Po si është ky sistem në vendin tonë, shefi i sektorit të gjykimit pranë FSHF-s, Sokol Jareci na tregon më tepër.

Sokol Jareci: Kjo është dhoma e sistemit VAR që përbëhet nga operatori, nga arbitri VAR dhe nga asistenti i tij A-VAR. VAR-i është komandanti i këtij sistemi. Është ai që zgjedh situatat. Në momentin që ndodh diçka situatën e merr në dorë A-VAR-I pasi VAR-i cekon situatën.

Po a është i njëjtë ky sistem si kudo në Europë?

Sokol Jareci: Ky sistem që ka mbërritur në vendin tonë është i njëjti që përdoret në Europian, Botëror apo Champions League, me të vetmin ndryshim që atje përdoren më shumë kamera ndërsa këtu numrin e kamerave ne e kemi të limituar.

Po a do t’i japi fund spekulimeve dhe gabimeve të arbitrave ky system?

Sokol Jareci: VAR-i minimizon, nuk bën të mundur zhdukjen e të gjithë problematikave në arbitrim. Minimizon në një nivel shumë të lartë gabimet e arbitrit. Mos harrojmë që VAR-I ka edhe një protokoll që është shumë i rëndësishëm. Në sistemin VAR ndërhyhet vetëm kur ka gabime shumë të rënda. Mund të themi se në sistemin VAR ndërhyhet për të hequr ato titujt e mëdha nëpër gazeta.

Tashmë pritet që të mbërrijë në tiranë specialisti i FIFA-s për ta certifikuar këtë system dhe pas tij do të kuptohet nëse mund të fillojë përdorimi zyrtarisht në finale e Superkupës më 28 gusht apo me startin e superligës më 11 shtator.