Pas konfirmimit të variantit Delta, është vënë re një rritje e ndjeshme e kurbës së të infektuar me Covid në vendin tonë. Epidemiologu Artan Simaku është shprehur se në vjeshtë do të ketë një valë të katërt të Covid, mirëpo jo si valët që kemi kaluar në vjeshtën dhe dimrin e kaluar. “Në stinën e vjeshtës parashikohet një rritje e numrit të rasteve dhe kryesish në personat e pavaksinuar siç e thamë por jo në formë vale si valët që kemi kaluar në vjeshtën dhe dimrin e kaluar dhe për të zbutur sa më shumë këtë valë është e rëndësishme vaksinimi i të gjithë personave mbi 18.

Pra të gjithë personat që janë të pavaksinuar sa më shumë prej tyre të vaksinohen aq më tepër kontribuojnë në zbutjen e stinës së vjeshtës dhe të dimrit”, tha ai.

Epidemiologu Simaku shtoi se personat më të mbrojtur janë ata që janë vaksinuar me të dyja dozat. “Personat më të mbrojtur nga varianti Delta janë personat që janë vaksinuar me të dyja dozat. Aktualisht dhe personat të cilët janë shtruar në QSUT janë persona të pavaksinuar sepse karakteristikë e variantit Delta është që prek personat e pavaksinuar. Nga personat të cilët janë të vaksinuar rreth 5% e tyre janë prekur nga varianti Delta nga të cilët kanë qenë të vaksinuar kryesish me një dozë por dhe këto persona të cilët preken e kalojnë shumë lehtë pra nuk kanë nevojë për shtrim në spital dhe parandalohen format e rënda dhe vdekjet”, u shpreh Simaku.