Nga Admir Hoxha/
Ngjan si reportazh por nuk është tamam i tillë, ku qëllimi është të tregohen disa pikëpamje mbi realitetin ku jetojmë dhe atë realitet që duam të modelojmë me fqinjët tanë në të ardhmen, sipas një të riu.
28 qershor, e hënë, drekë. I lumtur se do të kaloja disa ditë në Pogradec, me të rinj nga Ballkani, por edhe pak në siklet. A mund të diskutoja me ta tema të ndaluara ? Mos bashkëfolësi do ta merrte diçka për keq ? Më shumë prej informacioneve të gabuara dhe mbulimit te madh mediatik që ju bëhet lajmeve me doza nacionalizmi në Ballkanin Perëndimor. Ose me saktë rëndesia mediatike qe ju jepet memexhinjëve, historianëve, luftëtarëve a filozofëve pseudo-nacionalistë dhe mbi te gjitha politikanëve që kanë prirje për tu personifikuar si baballarë të Ballkanit.
Na Ballkan janë me shumicë boshllëqet që lë nacionalizmi apo që i krijon nacionalizmi dhe i mbushin këta pseudo.
Sa për sqarim: Ka një tendencë për ta personikuar nacionalizmin si të keq. Një qasje e gabuar, pasi varësisht si përdoret nacionalizmi mund të jap efekte pozitive dhe negative, dhe fakt është se pasojat ndihen shumë vite më vonë. Fjala vjen, anglezët janë ende duke gjykuar nëse Brexit si veprim nacionalist ishte veprim i mirë apo i keq.
Gjithashtu duke ditur temën e trajnimit: Exploring the Role of Youth in Reconciliation and Peacebuilding, isha shpresëplotë se do të takoja të rinj të motivuar për të kaluar mirë, të motivuar që me shembullin e tyre personal të shkojnë përtej konfliktit dhe me dëshirën e mirë për të promovuar paqen në rajon, sot, nesër e përherë.
Në këtë rajonin tonë ku na quajnë fuçi baruti, ku ne njerëzit e zakonshëm, shqiptarët e zakonshëm që nuk kanë përfitime nga politika dhe nuk punojnë për axhenda të caktuara, e respektojmë në të njëjtën mënyrë një serb, një boshnjak, një malazez a këdo. Në këtë rajonin tonë, ku na thonë se duhet të zgjidhim problemet me njëri tjetrin për tu integruar në Evropë. Në këtë rajonin tonë ku ne si shqiptarë bëhemi tap me raki e kërcejmë një lloj me të gjithë komëshinjtë tanë në rajon. E në këtë rajonin tonë ku krimet e të shkuarës nuk janë të lehta për t’u harruar.
Në orën dy të drekës erdhën pjesëmarrësit e parë te ‘’Soho’’, hipëm në fugon, u nisëm dhe ja problemi i parë, vapa dhe mungesa e kondicionerit. I gjendur pak në siklet, përktheja ankesat e 8 të rinjëve për vapën te shoferi i fugonit dhe anasjelltas. Problemi ishte se nuk punonte kondicioneri mbas. Afër mendsh se ata të rinj nga Serbia, Mali i Zi dhe Presheva mund të kenë reaguar të pakënaqur. Shto këtu edhe përkthimin tim i sikletosur kur më thoshte shoferi se rrugës bëhet më freskët. Dukej si gënjeshtër e trashë dhe e përktheva, në fakt nuk e përktheva. Ju tregova se do hapim dritaret rrugës që të freskohet.
Edhe kondicioner edhe dritaret hapur, zgjidhje pa zgjidhje.
Prezantimi i parë ky, shto këtu trafikun e Tiranës. Për dreq dikush prej tyre, kishte lexuar edhe lajmin me katër të vrarë në Velipojë për shezllonet, ku ndër ta humbi jetën edhe kamarieri, i pafajshmi Musaen Zeneli. Lajmi kishte marrë dhenë dhe pyetja naive që më bënë ishte: Sa larg është Velipoja nga Pogradeci ? Që nënkuptonte: a jemi të rrezikuar nga ndonjë përplasje me armë mes bandash ?!
Kur je me të huajt dhe flet për vendin tënd njeriu ka një dyzim të sikletshëm të tregojë të vërtetat, e ti nxjerrë ‘’ të lara e të pa lara’’ apo të flas mirë, edhe duke mashtruar pak. Marrëdhënia që kam me të vërtetën më sikletos shumë në këto raste. U përgjigja se është rast i izoluar, plus pogradecarët janë njerët të urtë, të mirë, mikpritës dhe nuk mund të ndodhte aty një gjë e tillë.
Rrugës ndaluam në Elbasan për të ngrënë diçka të shpejtë. Kondicioneri u harrua, edhe konflikti i Velipojës po ashtu. Bogdani nga Serbia ishte i fiksuar me konjak Skënderbeu dhe ishte i shqetësuar nëse mund ta kalonte në doganë. Kishte marr porosi nga miqtë e tij serb se nuk mund të kthej në Serbi pa konjak. Nisëm një bisedë të gjallë, për konjakun, Skënderbeun, historinë, kulturën, profesionet tona.
E vërteta është se nuk isha interesuar ndonjë herë për kaq shumë informacione për konjakun, por mund ti flisja pa fund për Skënderbeun. Arritëm në Pogradec. Te hoteli na prisnin dhe të tjerët.
Nata e parë ishte njohje me njëri tjetrin. Diskutime pa fund, grupi shumë energjik. Pa komplekse, gjithëkush kërcente çfarëdo kënge, të çfarëdo shteti, mjafton të kishte ritëm. Rini premtuese. Nuk e di ç’bëjnë të rinjtë francezë kur takohen me ata gjermanë, ama di se këta të rinj nga Ballkani ishin më qytetarë dhe evropianë se ata francezë e gjermanë bashkë.
Fjetja ishte mrekulli. Kishte të drejtë Lasgushi, kur thoshte për Pogradecin se klima e vendlindjes ka veti rigjeneruese për qelizat e trupit. Lodhja e Tiranës ishte zhdukur. Stafit të lokalit i kishte bërë përshtypje gjallëria e grupit. Kamarieri dhe recepsionisti që kishin ardhur vetëm për të ndihmuar për këtë rezervim e kishin hapur llafin gojë më gojë. Turistat vendas a të huaj që vinin aty në ditët në vijim flisnin për ne.
Më bëri përshtypje dhe pyeta kamarierin, çfarë ka ndodhur që flasin kaq mirë. ‘’Kështu është Poradeci ynë’’ më tha. I ka krahët hapur për të gjithë. Po i solle gjallëri, të jep ngrohtësi. U ndjeva mirë, edhe për faktin se kishte ende pogradecarë që e quanin qytetin e tyre, ashtu e kishte pagëzuar Lasgushi, Poradec.
Nisi dita e parë e trajnimit me detyrën e përkufizimit të vetëvetes në mënyrë kreative. Secili zgjodhi mënyrën origjinale, duke u nisur nga pasionet, dëshirat, objektivat, fantasia, projektet dhe idetë për të ardhmen. Një mënyrë e mirë për t’u çliruar nga komplekset ballkanike dhe për të njohur njëri tjetrin.
Mbrëmja ishte mrekulli me natën kulturore. Pjesëmarrësit nga Shqipëria, Polonia, Greqia dhe Serbia do të prezantonin shtetet. Në Serbi prodhoheshin disa çokollata të mira, më të mirat që kam provuar deri tash, ndërsa serbët dhe polakët u dashuruan me konjakun Skënderbeu dhe birrën Peja. Rakia jonë ishte si ujë për polakët. Alkoli i tyre e ndezi goxha atmosferën. Këngët dukeshin njëlloj të gjitha e ne kërcenim si të njiheshim prej kohësh. Unë nuk marr vesh shumë nga kërcimi, ama Miki Milane e kërceja me të njëjtin qejf si këngët e Ylli Bakës. Të njëjtën gjë mund ta them me siguri edhe për të tjerët. Kjo ishte atmosfera. Nuk mund të them me siguri se kur fjetën të tjerët, ama vet u zgjova ne buzë të detit. Le të them buzë liqerit.
Dita e dytë: U ndamë në grupe për të krijuar një histori që do të frymëzonte brezat pasardhës. Dhe historia e grupit tonë ishte një vajzë e varfër nga Mali I Zi, e cila nuk hoqi dorë nga ëndrra e saj dhe ja doli të arsimohej në universitetin që donte në Serbi. Sa të rinj penalizohen kështu që duan të studiojnë në një vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, por nuk munden sepse nuk njihen diplomat mes vendeve.
E kjo thjesht sepse mungon vullneti mes qeverive, paçka se marrëveshjet e nënshkruara egzistojnë. Mund të duket naive por vendosni ne krye të minstrive të arsimit të rinj nga 25 vjeç dhe do te shikoni si zbatohen marrëveshje të tilla, pa u përzier me politikën, për t’ju ardhur vërtet në ndihmë të rinjëve, për të garantuar vërtet mundësi të barabarta arsimimi.
Kjo na bëri që mbasdite të reflektonin si mund të zgjidhej kjo çështje dhe ngado që ta rrotullonim diskutimin ngecte te politika. Në 5 korrik vetë Merkel bëri thirrje që 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të nënshkruajnë marrëveshjet e katër lirive deri më 6 tetor të këtij viti, kur të zhvillohet samiti i ardhshëm i BE-së me Ballkanin. Një nga ato është edhe njohja e diplomave universitare. Nëse mbani parasysh edhe diskutimet për Open Balkan, përforcohet ideja se gjithë proçesi ngec te politika.
Mbrëmja përsëri kalonte pa u kuptuar, muzika ishte e përnatshme.
Dita e tretë ishte digital storytelling. Me dixhitalizimin e çdo shërbimi, shërmbimet e IT janë e ardhmja. Ato janë e tashmja, por çdo i ri është ende në kohë që të përkushtohet ndaj degëve të IT. Do të jetë më e lehtë për të gjetur punë dhe është një fushë ku nuk ka konkurencë, të paktën për momentin. Ky ishte leksioni ndër më të rëndësishmit, i asaj dite intensive, të cilën trajnere Elona me performancë cilësore arrinte të na mbante të interesuar dhe aktiv si në mëngjes.
Dita e 4, u njohëm me mundësitë që ofrojnë programetErasmus dhe mundësitë e shumta për karrierë dhe përfshirjen në nisma për të interesuarit rreth: the role of Youth in Reconciliation and Peacebuilding.
Mbasditja ishte e rezervuar për vizitën në Pogradec, Tushemisht dhe Drilon.
Si e mbaja mend prej para pak vitesh, Pogradeci ishte më i sistemuar tashmë. Pogradecarët nuk e pranonin emrin pedonale, vetëm emrin shqip shëtitore. Te busti i Lasgushit kishin mbjell disa lule të bukura. U ndjeva mirë. Tushemishti po ashtu ishte rregulluar. Teto Ollga priste gjithë qejf. Disa rregullime ishin bërë dhe atje.
”Zonja nga fshati nuk kishte pse shkonte në qytet të trazonte dynjanë”. Vajza e djem të rinj e vizitonin përdita e më shumë aty.
Ditën e 5 punuam me projekt propozime për një iniciative lokale apo rajone që do të suportohej nga Erasmus +. Iniciativa jonë kishte focus kulturën dhe vizita në vendet fetare. Për një ditë kuptuam ABC e një projekt propozimi për ta kthyer atë në realitet, për të sjellë një ndryshim në komunitet dhe për të rritur bashkëpunimin rajonal. Duke reflektuar me veten, është shqetësuese fakti se studentët e marrëdhënieve ndërkombëtare apo degë të ngjashme në Shqipëri zhvillojnë kaq pak iniciativa gjatë periudhës së studimeve për shkak edhe të mungesës së vullnetit dhe pasivitetit nga fakultetet.
Duhet përfshirë në programet mësimore edhe organizimi i vizitave studimore dhe shkëmbimeve mes studentëve në projekte gjatë kohës që ndjekin studimet. Një vizitë studimore në vendet e rajonit për një javë ose dy do t’ju ndryshonte këndvështrimin për botën dhe rajonin shumë të rinjëve. E sigurisht do ti afronte më shumë vendet tona.
Të paktën të arrijmë stadin e Kosovës, ku Universiteti i Prishtinës ka traditë ku zhvillojnë shkolla verore me mbi 150 studentë, duke hapur thirrje për pjesëmarës nga shumë vende. Në Shqipëri përvecse nuk ndodh, por do ishte mirë të mësojmë prej tyre.
Mbrëmja e asaj dite ishte rezervuar për natën e dytë kulturore. Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania kishin natën e tyre të prezantimit. Mua me ngelën në mendje disa lloje patetinash, jo vetëm për shijen e tyre por edhe për stadin industrial të këtyre vendeve.
Llojet e salçiçeve rumune, ishin një mrekulli më vete e shoqëruar me birrën Peja, ishin “Livin la Vida Loca”.
”Fifi” shoku i Pumbas, kishte rezervuar një lojë surrealiste me një mësim të vlefshëm për ditën e fundit. Loja me peshqirin që vështirësonte frymëmarrjen kishte një moral të madh: Kur na rrezikohet jeta, qoftë edhe kur nuk mund të marrim lirishtë frymë një moment, mendojmë sa e rëndësishme është jeta. Jeta është e shtrenjtë për gjithëkënd. E në rajonin tonë duke pasur parasysh të shkuarën, rëndësia e saj duhet vlerësuar dyfish, si mësim për të ardhmen.
Nesër-pasnesër ne të rinjtë mund të kemi poziocione të rëndësishme. E me vulën që do të kemi në dorë kam besim se do të marrin vendime të atilla për rajonin që do ti japin rëndësinë e duhur vetë jetës dhe bashkëpunimit. Erdhi dhe fundi dhe si nata e fundit meritonte ta trajtonim me respektin maksimal, me muzikë të zgjedhur.
Ditën e fundit në mëngjes kur duhej te ndaheshim, mu krijua ndjesia e zbrastisë kur takohesh për herën e fundit me të dashurën se ajo ikën me studime jashtë shtetit dhe ke frikë se largësia mund ta shkatërrojë marrëdhënien.
E aty për aty mu kujtua një pjesë nga shkrimet e Dritëro Agollit në vitin 1997:
”Bashkim shpirtëror unë e quaj që të vete mysafir tek njeri në Prishtinë, të trokas në derë dhe t’i them: “Jam filani! Unë u mërzita këtu në Tiranë dhe u nisa të vij këtu, në Prishtinë dhe të rri tek ti, si mik që të kam, një javë apo dhjetë ditë”. T’i them mikut tim: “ç’bën, si je, si i ke fëmijët?” T’i them, madje, a ke ndonjë vajzë të mbarë, se unë kam një djalë të mirë e dua ta martoj. T’i them se një miku im më ka treguar se ka qejf që nusen e djalit ta marrë kosovare. Si i bëhet, po t’i pëlqejë djalit, a mund ta marrë që andej dhe të vijë këtu?
Domethënë, të lidhen krushqi, të lidhen miqësi. Unë kam dëgjuar që në Fushën e Kosovës, apo në Gjakovë flasin me admirim për devollinjtë, thonë se i bëjnë të mira fasulet, por si i bëjnë nuk e dinë. Ata duan të vijnë të shohin si i bëjnë fasulet devollinjtë. Edhe kjo është lidhje shpirtërore. Nuk është lidhja shpirtërore vetëm me libra. Unë flas për lidhje shpirtërore të tilla, për lidhje gjaku.
Kur të krijohen këto lidhje, atëherë nuk ka top që të rrëzojë muret e shpirtit kombëtar shqiptar, muret e kalasë së shpirtit shqiptar, muret e mbrojtjes së dinjitetit kombëtar, të bukurisë së këtij dinjiteti dhe të identitetit kombëtar.”
Uroj që nga ky grup të krijohet edhe ndonjë krushqi, si një mjet për tu lidhur më tepër mes ballkanasve.
Duke e përshtatur më gjerë këtë që shkruan Dritëroi i madh, para se ne të implementojmë këto organizmat e shumëdiskutura të llojit ”Open Balkan” që kur bëhen përdhunshëm me linçime publike, më shumë na mbyllin se hapemi, ne duhet të bashkohemi shpirtërisht mes veti, edhe me krushqi. Ndërkohë që po mbaroja këtë shkrim shumë gjëra kanë ndodhur.
Festa e birrës në Korç% duhet dhe le të bëhet, le të kërcejn serbë e shqiptarë bashkë, por në kohë sensitive gjërat duhen parë me kujdes. E për ta bërë këtë nuk ju duhen besuar iniciativat e atyre politikanëve që i përdorin për populizëm, nacionalizëm a për të përfituar politikisht dhe personalisht.
Ndaj them me bindje se me ata të rinj që kam njohur dhe atë vullnet për ti bërë gjërat mirë në të ardhmen, Ballkani të paktën do të ketë një problem më pak kur problemi më i madh për ne në Ballkan janë politikanët.
Thjesht duhen besuar më pak dhe duhet kërkuar më shumë llogari për politikën e brendshme së pari, që do ti bënte edhe më të kujdesshëm kur të vepronin për politikën e jashtme.
Një shembull i thjeshtë: një president si Macroni që votohet nga francezë që derdhen në rrugë kur ju rritet çmimi i naftës 0.2 cent nuk do guxonte as ta mendonte një politikë të jashtme që e armiqëson me Gjermaninë.
Pa dashur të ndërhyj te gjykimi dhe ndjesitë që ju sjell emri këngëtarit Dritan Bregoviç shqiptarëve të Kosovës, pasi nuk do mund të futesha kurrë nën lëkurën e përdhunimeve, vrasjeve, masakrave më shqetëson edhe një gjë tjetër, kjo festa private që organizohet me lekët e shtetit. Pastaj edhe hyrja me lekë. Shpëdorim masiv lekësh. Ai le të këndojë fundja, por kur kujtoj reagimin e Noizyt, ka diçka që nuk shkon. Mirë reagimi i parë se fundja duhet justifikuar edhe firma e rrobave ”Illyrian Blood Line”, me pak pseudo patriotizëm, por pastaj reagimi i dytë për prishje të koncertit duket shumë i sforcuar dhe dikush e paska mësuar ti hedh benzinë zjarrit.
Por zgjidhja edhe për këtë rast do ishte hapni sytë e mos besoni politikanët që e përdorin të tilla ngjarje për përfitime politike. Goran është pasojë e kësaj klime, jo shkak. Nëse duhet të këndojë Bregoviç, përgjigjen e dha zjarri në Kalimash. Këndoftë a mos këndoftë, kërkoftë a mos kërkoftë falje, shqiptarët janë ata të Kalimashit, ata matanë e këndej kufirit. Kufi që s’duhet të egzistonte.
Historia do ti gjykojë siç ka gjykuar edhe të tjerë, por kjo histeri kurrësesi nuk duhet lejuar të përçajë shqiptarët. E prap shkoj te sygjerimi im naiv, vendosni gjashtë kryemistra 25 vjeçarë si ata të rinj që takova në Pogradec nëse doni paqe e bashkëpunim në Ballkan.
E sigurisht mos e anashkaloni Dritëroin: Bëni krushqi. (Express)