Nga dita e sotme qytetarët në Maqedoninë e Veriut do të duhet të tregojnë një certifikatë vaksinimi për të frekuentuar restorante, kafene apo ndonjë aktivitet shoqëror. Nëse personat nuk janë të vaksinuar ende kundër COVID-19 ata duhet të tregojnë minimalisht një dëshmi se kanë kaluar COVID-19, së paku para një muaj e gjysmë.
Autoritetet thonë se masat e reja anti-Covid kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik. Masat e reja kufizuese të cilat hyjnë në fuqi nga dita e sotme merren pas rritjes së numrit të të infektuarve. Vetëm gjatë ditës së djeshme Ministria e Shëndetësisë regjistroi 807 raste të reja dhe u shënuan po ashtu 10 viktima, nga të cilët pacienti më i ri është 28 vjeç.
Qytetarët pa certifikatë që do të shkojnë për kafe, drekë, koncert apo festë, ku janë të pranishëm më shumë se 30 persona, do të gjobiten me 250 euro. Gjoba për pronarin e objektit, nga ana tjetër do të jetë nga 2.500 deri në 30.000 euro në varësi të madhësisë, ndërsa veç kësaj, me 1.500 euro do të gjobitet edhe personi përgjegjës.