Norvegjia regjistroi sot numrin më të lartë të infektimeve të reja me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë, me 1 294 raste pozitive. “Në dy javët e fundit, janë regjistruar 152 raste për 100 000 banorë”, tha autoriteti shëndetësor. Numrat janë rritur shumë, veçanërisht në qytete, si Oslo, Bergen dhe Trondheim, pas përfundimit të pushimeve verore.
Shumë vende nuk kanë më kapacitetet e mjaftueshëm për të gjurmuar burimet e infeksionit dhe personat e kontaktit me ta. “Shumë prej të infektuarve kanë shumë kontakte të ngushta”, tha Beate Husa, një këshilltare shëndetësore në Bergen, për transmetuesin norvegjez NRK.
Megjithatë, autoritetet shëndetësore thanë të mërkurën se pandemia ishte nën kontroll, pavarësisht shifrave më të larta. Numri i shtrimeve në spitale po rritet, por është ende në një nivel të ulët. Në Norvegji, rreth 62 për qind e popullsisë së rritur është plotësisht e vaksinuar.