Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka përshëndetur sot pelegrinët, të cilët po marshojnë drejt Malit të shenjtë të Tomorrit, për të kremtuar festën e Abaz Aliut. Në urimin e tij Ruçi tha se gëzim e paqe duhet të jenë kundër hidhërimit e konflikteve
“Përshëndes dhe uroj sot qindra-mijra pelegrinë, bësimtarë bëktashinj, të cilët prej disa ditësh po ngjiten në Malin e Shenjtë të Tomorit. Pelegrinazhi është një marshim besimi, përkushtimi, dashurie e sakrifice. Jo vetëm për bektashinjtë, por për të gjithë besimtarët, për të gjithë shqiptarët.
Tomori i Abaz Aliut, princi i bashkimit, vllazërimit, paqes dhe mbrothësisë, është bërë destinacioni i besimtarëve nga të katër anët e Shqipërisë, por edhe nga Diaspora.
Në këtë botë të trazuar, të gjithë njerëzit, popujt dhe kombet kanë nevojë për mesazhe gëzimi e paqeje kundër hidhërimit e konflikteve; kanë nevojë për besim e shpresë, përkundër dëshpërimit e pesimizmit; japin e marrin dashuri në vend të urrejtjes; i kundërvenë pasurinë shpirtërore varfërisë dhe pabarazisë; shtrijnë dorën e miqësisë përkundër pezmatimit dhe armiqsive.”, shkruan në mesazhin e tij drejtuar pelegrinëve në Malin e Tomorit, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.