Nga Mero Baze
Të gjithë po pyesin Lulzim Bashën se çfarë do të bëjë me Sali Berishën. E pyesim ne gazetarët me shkrime, e pyesin tinëz shumë demokratë pasi nuk duan të marrin pozicion, e shantazhojnë mbështetës të Berishës, e sulmon portali i djalit të Berishës, e sulmojnë mbështetës të Berishës në PD etj. Por është një njeri që duket se nuk ka guxim ta pyesë direkt dhe të përballet me këtë dilemë. Nuk është vetëm Lulzim Basha ai që hesht, që as nuk e mbron e as nuk e lëshon. Është dhe vetë Sali Berisha. Fakti që ai vë gjithë mbështetësit e vet ta sulmojnë Bashën, përfshi dhe portalin e djalit ë tij ta pyesë përditë, duket qartë se ai ka një drojë të përballet i pari me Bashën.
Nuk është tamam frikë, por është pak më shumë. Është drojë nga poshtërimi që mund t’i ndodhë, nëse e nis luftën i pari. Lulzim Basha është mjeshtër për të mos bërë asgjë dhe në këtë rast, për të mos nisur luftën i pari. Ai mendon dhe pret se dikush do ta shpëtojë nga ky hall deri në shtator. Sali Berisha duket që po plas ta pastrojë këtë punë para shtatorit, por ka frikë ta bëjë vetë. Nuk la njeri pa ja turrur Lulzim Bashës në shpinë, që ai të flasë, dhe pastaj ai të marrë situatën në dorë.
Por Lulzim Basha nuk po tundohet. Nuk është hera e parë që Berisha në fakt sillet si qenie e frikësuar nga Basha, se mos turpërohet. E ka bërë këtë dhe më 2017, kur Basha bëri marrëveshjen me Ramën dhe ky për të mos u dukur që nuk ishte përfillur, mbështeste marrëveshjen duke e ngritur në qiell dhe vetëm kur humbi zgjedhjet, filloi ta quante gabim. Përpara zgjedhjeve të vitit 2021, e hoqi këtë dilemë dhe e vetëcaktoi veten deputet, pa folur Basha. Tani nuk po ia del të marrë fjalën e Bashës. Pas deklaratave të qarta të SHBA, që ai nuk duhet të jetë në Parlament, dhe heshtjes aprovuese të Bashës, ai po sulmon SHBA-në, por jo Bashën.
Në fakt, ai problemin e ka me Bashën, se SHBA ka kriteret e veta. Fakti që Basha nuk flet, nuk e mbron, por as e sulmon, e ka demitizuar Berishën, duke e lënë fatin e tij në dorë të komentuesve të portalit të djalit, apo ndonjë deputeti të PD të mërzitur me Bashën, që kërkon të marrë hak ndaj tij duke mbrojtut Berishën. Të gjitha këto kuptohen qartë, por ajo që nuk kuptohet është pse Berisha nuk përballet vetë me Bashën. Të gjithë e dimë që ai e fiton këtë betejë, por ajo që e tremb më shumë është pikërisht kjo. Ai shpreson ta fitojë betejën me SHBA duke pas dhe Bashën me vete, gjë që nuk ka asnjë shans të ndodhë. Frika e tij reale është se Basha nuk ka ndërmend të humbasë bashkë me të. Por as të fillojë luftën i pari. Është një luftë që humbet ai që sulmon i pari dhe duket që Berisha është i frikësuar ta bëjë këtë.