Ndërkohë që të gjithë presin transferimin e Kylian Mbappe te Reali i Madridit, duket se Paris Saint Germain vijon të këmbëngulë për të mbajtur qoftë edhe një sezon yllin francez në “Parkun e Princave”, ose në rastin më të keq, ta shesë vetëm me shifra të kënaqshme. Linjën e klubit e ka konfirmuar së fundi edhe trajneri Maurizio Pochettino, i cili doli në konferncën e zakonshme për shtyp në prag të transfertës ndaj Reims, zbuloi se ka grumbulluar si zakonisht Mbappenë. “Mbappe është stërvitur shumë mirë dhe e kam grumbulluar për sfidën e nesërme, pasi nuk më ka folur për vullnetin e tij për t’u larguar. Mendoj se drejtuesit janë shprehur qartë për këtë çështje, ndaj nuk ka mbetur asgjë që ta shtoj unë”, deklaroi Pochettino.

Për transfertën ndaj Reims, e programuar për nesër në mbrëmje, trajneri argjentinas ka grumbulluar për herë të parë afrimin më të bujshëm të verës, Lionel Messin, si dhe brazilianin Neymar, të cilët kanë rikuperuar formën fizike dhe janë gati të tregojnë veten në fushë.

“Messi është një profesionist i madh dhe ka arritur të rikuperojë shumë shpejt gjendjen fizike, ashtu si edhe përshtatjen me shokët e skuadrës. Kam grumbulluar si Messin, ashtu edhe Neymar, por për formacionin nuk kam vendosur ende. Ndoshta luajnë të tre, bashkë me Mbappe, që nga minuta e parë”, deklaroi tekniku argjentinas.