PSG e nisi keq sezonin e ri futbollistik 2021-2022, pasi u mposht 1-0 në Superkupën e Francës, kundër Lille, sfidë e zhvilluar në “Bloomfield Stadium” të Tel-Avivit. Golin e vetëm të kësaj sfide e shënoi në fundin e pjesës së parë mesfushori portugez Zeka, që shfrytëzoi pasimin e sulmuesit turk Burak Yilmaz. Më te njëjtin rezultat Lille, kampionia në fuqi e Francës, e kishte mposhtur ekipin parizien edhe në sfidën e fazës së dytë të kampionatit. Gjithsesi, Pochettino nuk kishte në dispozicion në këtë takim emra me shumë peshë si Neymar, Mbappe, Di Maria apo blerjet te fundit Ramos e Donnarumma.

Trajneri argjentinas këmbënguli në përfundim të ndeshjes se kishte humbur skuadra më e mire në fushë.

“Mendoj se ne ishim ekipi më i mirë në fushë, por nuk arritëm t’i shfrytëzonim mundësitë tona, dhe për të fituar në futboll, kuptohet që duhet të shënosh. Është një sezon i ri, jam i kënaqur me lojtarët e mi dhe do të jemi më mirë kur ta kemi skuadrën e plotë. Kurrë nuk kam dyshuar në dëshirën e lojtarëve të mi. Donim të fitonim, bëmë gjithçka për të fituar dhe luajtëm me lojtarët që mundën”.

Pa Neymar apo Kylian Mbappe, i cili shënoi 42 gola në 47 ndeshje në të gjitha garat sezonin e kaluar, sulmi i PSG u duk i pafuqishëm. Wijnaldum dhe Julian Draxler ishin lojtarët e vetëm që vunë në provë portierin Jardim të Lille, ndërsa Mauro Icardit iu anulua një gol për pozicion jashtë loje.